Afera me trojet, ish-krerët e komunës Kashar, alibi në gjyq
TIRANE – Komunarët e Kasharit të arrestuar për abuzime me tokat e bashkëfshatarëve kërkojnë pafajësi në gjykatë. Gjatë fjalës së mbrojtjes, Alfred Sula, ish-kryekomunari i Kasharit, i cili u prangos gjatë kohës që ndodhej në detyrë, mohoi të kishte abuzuar me dokumentacionin e tokës së bashkëfshatarëve të tij. “Sipas ligjit të ndarjes së tokës, mua dhe familjes time na takonin 30 dynymë tokë, por që realisht kemi marrë vetëm gjysmën e tyre. Nuk e kuptoj përse ndodhem këtu i burgosur, derisa unë jam viktimë dhe jo grabitës pronash”, tha Sulaj, i cili shtoi: “në vend që të më japin pronën time, më futin në burg”. Më tej Sulaj pohoi se sipërfaqet e tokës në këtë fshat, për të cilat Prokuroria pretendon se u janë grabitur banorëve, i përkisnin fisit të tij dhe që realisht nuk ishin ndarë sipas ligjit 7501. Duke dhënë shpjegime të mëtejshme, Sulaj tha se dokumentet që i ishin kapur në makinë në momentin e arrestimit ishin lejet e ndërtimit që ai do firmoste në cilësinë e kreut të komunës. Këto dokumente, sipas tij, ishin të një rëndësie të veçantë dhe ky nuk kishte besim t’i linte në zyrë, madje as na banesë, por që për siguri i mbante në makinë. Sipas tij këto ishin dokumente të qytetarëve të ndryshëm, që duheshin firmosur prej tij për një kohë të caktuar. Ndërsa Faik Fejza, ish-kryetar në këtë komunë, pohoi se ndoshta në ndonjë nga dokumentet e sekuestruar prej Prokurorisë gjendej firma e tij, por kjo ka ndodhur në mënyrë abuzive. Sipas tij kishte dy mundësi, ose firma është marrë për tjetër qëllim dhe përmbajtja e dokumenteve është falsifikuar, ose nënshkrimi është vënë prej tij me mirëbesim. Po kështu edhe të pandehurit e tjerë në këtë proces kërkuan pafajësi. Ndërsa Prokuroria në pretencën e paraqitur një muaj më parë kërkoi dënimin me 55 vjet burg dhe rreth 50 milionë lekë gjobë për të akuzuarit për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “mashtrim”, vepra penale të gjitha të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë. Sipas Prokurorisë, këta të pandehur në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës duke përfituar vetë apo të afrimit e tyre sipërfaqe të ndryshme, duke filluar që nga viti 2000 kur komuna drejtohej nga Fejza e deri në fund të 2007-ës, kur drejtohej nga Sulaj. fa.ma.