E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sefgjini: Kemi mbledhur 23 miliardë lekë më shumë

 

Administrata tatimore ka bërë dje bilancin e vitit 2008. Kreu i administratës tatimore, Arben Sefgjini, u shpreh dje se në 2008-ën janë arkëtuar 23 miliardë lekë ose rreth 250 milionë dollarë më shumë. Sipas tij, një nga faktorët për rritjen e të ardhurave është edhe përmirësimi i elementeve që kanë të bëjnë me punën e administratës. “Rezultate pozitive janë arritur në tatimet më kryesore direkte dhe indirekte, që zbatohen në Shqipëri, si tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi të ardhurat e kompanive dhe të individëve. Për më tepër, rritja në këto lloje të ardhurash, krahasuar me vitin 2007, llogaritet nga 35-65 për qind”, tha dje Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore. Konkretisht të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar është realizuar sipas programit dhe rezulton me rritje 34 për qind, krahasuar me vitin 2007. Tatimi mbi Fitimin Koorporativ rezulton në nivelin 87.4 për qind të vitit 2007, ndërkohë që tarifa është përgjysmuar. “Pra duke i vendosur në baza të njëjta krahasuese, do të kishim një tejkalim prej 43.7 për qind të këtij tatimi” tha ai. Ndërkaq të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë rritur me 65 për qind, krahasuar me vitin 2007. “Administrimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore ka njohur përmirësim në vitin 2008, të ardhurat nga kontributet e arkëtuara në vitin 2008 janë 17 për qind më shumë, ose 6.5 miliardë lekë më shumë se ato të vitit 2007”, deklaroi kreu i tatimeve. I pranishëm në analizën e djeshme ishte edhe zëvendësministri i Financave, Florjon Mima. Pas deklaratës së kreut të tatimeve, Mima u shpreh se “Nuk dëgjova asnjë fjalë për korrupsion. Ende ky vend vazhdon të thithë kritika për këtë sektor dhe të gjitha këto sinjale që ne marrim na bëjnë të dyshojmë se individë të veçantë vazhdojnë të nëpërkëmbin ligjet e shtetit për përfitime personale”. Sipas tij, nuk është dhënë asnjë shifër për njerëz përgjegjës, për shkelje që minimalisht të jenë pushuar nga puna ose të jenë dërguar para drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›