E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e prokurorit, mjekët me policë për dëshmi në gjyq

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria urdhëron policinë të shoqërojë forcërisht në gjykatë dy mjekë të thirrur në cilësinë e dëshmitarëve në gjyqin që po zhvillohet ndaj kolegëve të tyre të akuzuar për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e prokurorit magjistrast Dorian Karaj. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat thanë se prej katër muajve, mjekët Ali Refatllari dhe Spiro Qirko nga QSUT në Tiranë, po refuzojnë të paraqiten si dëshmitarë në Gjykatën e Durrësit, ku po zhvillohet gjyqi për vdekjen e prokurorit 27-vjeçar. Prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzë për “mjekim të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e magjistratit ndaj mjekëve Afërdita Nushi dhe Kozma Tavanxhi, të cilët kanë bërë diagnostikimin dhe trajtimin e pacientit që humbi jetën në QSUT. Me qëllim për të provuar akuzën dhe për të paraqitur para gjykatës faktet që provojnë mjekimin e pakujdesshëm të prokurorit Dorian Karaj, organi i akuzës ka kërkuar paraqitjen në gjyq të dy mjekëve nga Tirana, Ali Refatllari dhe Spiro Qirko. Dy herë me radhë, gjykata e Durrësit ka nisur thirrjet në adresat e dy mjekëve, por ata kanë refuzuar të paraqiten për të dëshmuar. Duke zbatuar dispozitat ligjore si dhe për shkak se mosparaqitja e mjekëve po bëhet pengesë për ecurinë normale të gjyqit, Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar policisë shoqërimin forcërisht për në gjykatë të dy mjekëve të thirrur si dëshmitarë.         
Mjekimi i pakujdesshëm
Sipas dosjes penale lidhur me vdekjen e tij, prokurori magjistrat Dorian Karaj është shtruar në spitalin Infektiv më 3 tetor 2006. Për shtatë ditë ai ka marrë mjekime për sëmundje infektive (hepatitit, prekje të cipës së tëmthit, tifo, meningjit etj.). Një javë pas shtrimit në infektiv, prokurori 27-vjeçar ka kryer një vizitë te kardiokirurgu i QSUT-së. Gjatë kësaj vizite është konstatuar se prokurori vuante nga bikuspid të aortës (zgjerim të kanaleve të gjakut që furnizojnë aortën), endokardit, infeksion të valvulave aortale si dhe një kthim të madh gjaku në ventrikulin e majtë të aortës. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se konkluzionet për probleme në zemër, mjeku kardiokirurg i ka vërejtur gjatë ekzaminimit të zemrës me Echo-Transezofagiale dhe ka rekomanduar urgjentisht ndërhyrje kirurgjikale për zëvendësimin e valvulës aortale. Mjekët e tjerë që trajtuan rastin u thanë familjarëve se operacioni nuk ishte urgjent, ndërsa ndërhyrja do të bëhej në Turqi. Familja po bënte dokumentet në Ministrinë e Shëndetësisë më 10 tetor 2006, kur rreth orës 18:00, prokurori 27-vjeçar Dorian Karaj u nda nga jeta një javë pasi ishte shtruar në spital. Sipas akuzës, dy mjekët e spitalit Infektiv, Afërdita Nushi dhe Kozma Tavanxhi e kishin mjekuar prokurorin për probleme të paqena shëndetësore, duke rënduar edhe më shumë gjendjen e zemrës me ilaçet e panevojshme që i dhanë për një javë, si pasojë e diagnostikimit të gabuar të kryer prej tyre.

Autopsia: Prokurori vdiq nga mjekimi i gabuar në Infektiv

TIRANE – Vdekja e prokurorit Dorian Karaj në tetorin e vitit 2006 u bë shkak për hapjen e hetimeve penale mbi mundësinë e mjekimit të pakujdesshëm. Për shkak se i ndjeri kishte punuar në Prokurorinë e Tiranës, dosja penale u përcoll në Prokurorinë e Durrësit, e cila ndoqi hetimet dhe mori të pandehur dy mjekët e Infektivit, që bënë ekzaminimin dhe mjekimin e gabuar të 27-vjeçarit. Sipas akt-ekspertimit mjekoligjor të kryer me kërkesë të Prokurorisë për llogari të hetimeve mbi vdekjen e pacientit, është konstatuar se “në fazën e shtrimit nuk është bërë përcaktimi i skemës së qartë të mjekimit, mungon mjekimi intensiv konform gjendjes së të sëmurit, ka mungesa të një mjekimi kirurgjikal të shpejtë dhe elementë të mjekimit të pakujdesshëm, kryesisht nga mjekët infeksionistë, që kanë pasur përgjegjësi për ndjekjen e të sëmurit”. Bazuar në këtë akt-ekspertimi, por edhe në gjithë dokumentet mjekësore të sekuestruara, provat materiale dhe dëshmitë e mbledhura, Prokuroria ka ngritur akuzën për mjekim të pakujdesshëm ndaj dy mjekëve të Infektivit Kozma Tavanxhi dhe Afërdita Nushi. Vepra penale që u atribuohet atyre parashikohet nga neni 96 i Kodit Penal dhe nëse të pandehurit shpallen fajtorë në fund të procesit gjyqësor, ata rrezikojnë dënimin nga gjobë deri në pesë vite burgim. Sipas dosjes së Prokurorisë, mësohet se mjekimi që kanë dhënë dy mjekët që u morën të pandehur ka qenë i kotë, pasi ilaçet që i janë dhënë prokurorit nuk kishin të bënin me problemet shëndetësore nga të cilat vuante ai. Madje, mësohet se trajtimi i 27-vjeçarit me medikamentet që i kanë dhënë për një javë bluzat e bardha të spitalit Infektiv veçse e ka rënduar gjendjen e prokurorit, i cili humbi jetën në pritje të nisjes për operacion në Turqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›