Gjykata e Lartë heq burgun e trafikantëve
Trazhgim Sokolaj
Një klauzolë e diskutueshme ligjore i ka shërbyer Gjykatës së Lartë për të shumëzuar me zero procesin gjyqësor 4-vjeçar ndaj të akuzuarit për trafik prostitucioni dhe pastrim parash Arjan Kane. Me vendim të datës 3 dhjetor 2008, Gjykata e Lartë ka rrëzuar të gjitha dënimet dhe masat ndëshkimore penale, duke rikthyer dosjen edhe njëherë për gjykim. Vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Lartë ka mbërritur vetëm pak ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka bërë hetimet dhe ka ngritur akuzë ndaj Arjan Kanes në procedimin penal të vitit 2004. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar reagim në organin e akuzës, pasi Arjan Kane ishte dënuar me 20 vjet burg, ndërsa i akuzuari tjetër Fatmir Tahiraj ishte dënuar me 18 vjet burg. “Gjykata e Lartë me vendimin e saj në datën 3 dhjetor 2008 ka vendosur prishjen e dy vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda, me arsyetimin se gjykatat nuk kanë respektuar nenin 158 të Kodit të Procedurës Penale në lidhje me pyetjen e dëshmitareve”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, gjyqtarët e çështjes, Gani Dizdari, Besnik Imeraj, Majlinda Andrea, Spiro Spiro dhe Andi Celiku kanë theksuar se Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit duhet të pyesnin të dëmtuarat nëse kërkonin të përfitonin nga e drejta për të refuzuar për të dëshmuar, meqenëse ato kanë bashkëjetuar me të pandehurit.
Dyshimet
Neni i Kodit të Procedurës Penale ku është bazuar Gjykata e Lartë parashikon se nuk kanë detyrim për të dëshmuar në një proces penal, rrethi familjar i të pandehurit përfshirë edhe gruan apo ish-gruan e të akuzuarit. Mirëpo një dispozitë e tillë, siç konfirmon Prokuroria, nuk ka asnjë kufizim ndaj një kategorie të tillë personash, në mënyrë që ata të dëshmojnë. Edhe në rastin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, bëhet fjalë për vajzën e cila e ka akuzuar Arjan Kanen për trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali. Sipas Prokurorisë, vajza është paraqitur me vullnetin dhe dëshirën e saj në zyrat e organit të akuzës dhe ka treguar rrethanat e krimit për të cilin është akuzuar Arjan Kane dhe i akuzuari tjetër në këtë çështje, Fatmir Tahiraj. Të dy ata, sipas Prokurorisë, janë denoncuar dhe akuzuar nga vajza e dëmtuar prej tyre, e cila ishte shfrytëzuar si prostitutë në Milano të Italisë. Organi i akuzës e konsideron si rast të paprecedent qëndrimin e Gjykatës së Lartë, e cila kërkon që një vajze të mashtruar, të trafikuar dhe të shfrytëzuar si prostitutë, gjykatat apo prokuroria t’i bëjnë me dije se ka të drejtë të mos dëshmojë në procesin e hetimit apo gjykimit të personave të dyshuar si tutorë të saj.
Akuza
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se në vendimin e saj, Gjykata e Lartë “nuk ka mbajtur parasysh se dëshmitaret janë të dëmtuara nga vepra penale. Madje, njëra prej vajzave ka bërë edhe kallëzim penal ndaj të pandehurve në këtë proces dhe hetimi ka nisur në sajë të këtij denoncimi”. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, pikërisht neni 158 i K.Pr.Penale është pikërisht ai që përjashton ankuesit, kallëzuesit dhe të dëmtuarit nga e drejta për të përfituar për refuzimin e të folurit si familjar apo i afërt i të pandehurit. “Interpretimi i bërë nga Gjykata e Lartë është në kundërshtim me të gjithë praktikën e ndjekur për shumë vite nga kjo gjykatë si dhe me vetë K.Pr Penale, neni 158. Ky vendim nga hetimi dhe gjykimi krijon dyshimin e bazuar se Gjykata e Lartë ka vendosur jo në respekt të të drejtave të njeriut dhe bazuar në ligj, por në respekt të pasurisë së të pandehurve”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Kryegjyqtarja Beçaj takon diplomatë e zyrtarë të huaj
TIRANE - Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka pritur dje në takime disa nga përfaqësuesit e misioneve diplomatike dhe atyre mbi drejtësinë dhe gjyqësorin në vendin tonë. Burime zyrtare të këtij institucioni pohojnë se takimet janë zhvilluar në kuadrin e prezantimit të kryegjyqtares si dhe vazhdimit të bashkëpunimit të këtyre misioneve të rëndësishme për gjyqësorin shqiptar. Beçaj është takuar fillimisht me drejtorin e misionit EURALIUS në Tiranë, Roland Miklau, i cili e ka njohur kryegjyqtaren me fazat e zhvillimit të projekteve mbi drejtësinë dhe gjyqësorin, duke dhënë gjithashtu edhe mbështetjen për të asistuar në mënyrë të vazhdueshme. Më pas Beçaj është takuar me ambasadoren e Zvicrës, Ivana Enzler, në një takim njohje dhe kortezie si dhe me ambasadorin britanik në Shqipëri, Frasen Wilson. Ambasadori britanik është shprehur i gatshëm për të ndihmuar sistemin e drejtësisë. Mësohet se Wilson ka vënë theksin dhe shprehur interes të veçantë në transparencën dhe shpalljen e arsyetuar të vendimeve gjyqësore, në mënyrë që ato të jenë sa më pranë dhe sa më të kuptueshme nga publiku. Takimi i fundit i Beçaj ishte me drejtoreshën e re të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney. Shefja e USAID-it e ka njohur Beçajn me projektet më të fundit që ky mision po implementon në Shqipëri në disa gjykata pilot. Në takim merrte pjesë dhe Frederik Yeager, drejtor i DMK-consulting, firma zbatuese e projektit mbi Programin e Shtetit Ligjor në Shqipëri të USAID-it. fa.ma.