E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera me zjarrfikësen e Gërdecit

• Ndërmarrja shtetërore e import-eksportit të armëve dyshohet se nuk ka ushtruar një pjesë të mirë të detyrimeve të saj ligjore në fabrikën e çmontimit të predhave në Gërdec.

Trazhgim Sokolaj

Një fond për të paguar shërbimin e zjarrfikëseve që duhej të qëndronin pranë fabrikës së çmontimit ishte përcaktuar. Por ndërmarrja MEICO nuk është kujdesur që të vendoste asnjë shërbim për shuarje zjarri pranë fabrikës së demontimit për ndërhyrje në rast aksidenti edhe pse fondi është shpenzuar. Dhjetëra ushtarakë të pyetur në Prokurori janë shprehur se, një nga rregullat elementare por të detyrueshme për masat e sigurisë gjatë çmontimit të municioneve luftarake është që pranë qendrës së çmontimit të vendosen mjete për shuarje zjarri të gatshme për ndërhyrje gjatë 24 orëve. Prokuroria ka zbuluar një sërë veprimesh të titullarit të ndërmarrjes Ylli Pinari, të cilat bien ndesh me ligjin e që dyshohet se janë bërë shkak për tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008. “Shitje e produkteve të dala nga demontimi”. Kjo ka qenë detyra që i ishte ngarkuar ndërmarrjes MEICO e konsideruar nga hetimet e deritanishme si shkaktarja kryesore e tragjedisë së Gërdecit m veprimet dhe mosveprimet e saj. Ministria e Mbrojtjes dhe instancat tjera më të larta në vendimet e tyre mësohet se janë shprehur në këtë formë lidhur me aktivitetin e ndërmarrjes MEICO, e cila ngarkohej me organizimin e ankandeve për procedurën e shitjes së produkteve të dala nga demontimi i municioneve. Ky proces realizohej në bazë të vendimeve përkatëse të Qeverisë dhe urdhrave të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët ngarkonin ndërmarrjen shtetërore të import-eksportit të armëve që të mbikëqyrte në mënyrë të rreptë kushtet në të cilat bëhej çmontimi i municioneve të ushtrisë shqiptare të destinuara për demontim. Sipas burimeve të Prokurorisë, veç parregullsive të tjera, ndërmarrja MEICO dhe drejtuesit e saj dyshohet se kanë kryer veprime dhe mosveprime që bien ndesh me ligjin. Sipas urdhrave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kontratave të nënshkruara me firmat blerëse, ndërmarrja MEICO ruante rolin e kontrollorit dhe mbikëqyrësit për gjithçka që ndodhte me municionin deri në momentin e kthimit të tij në produkte demontimi, konkretisht në predha, djegore, barut dhe gëzhoja. Sipas dokumenteve të sekuestruara prej Prokurorisë, në rastin e predhave duhej që djegoret të ktheheshin pas nga MEICO, e cila duhej të angazhonte trupa të specializuara të ushtrisë për shkatërrimin e tyre në ambiente të caktuara. Detyrimet e ndërmarrjes shtetërore përfundonin në momentin kur materialet e dala nga demontimi i dorëzoheshin palës blerëse, me qëllim transportimin dhe përpunimin e tyre të mëtejshëm për nxjerrje metali, kryesisht skrap. “Nga administrimi i dokumenteve të gjetura deri tani dhe nga pyetja e dëshmitarëve, rezulton se ndërmarrja MEICO nuk kryente asnjë veprim pasi dorëzonte municionet në fabrikën e Gërdecit”, janë shprehur burimet e Prokurorisë. Ato thanë se grupi i hetimit po verifikon një tjetër abuzim që lidhet me pajisjet e ruajtjes së sigurisë që duhet të mbahen pranë çdo qendre ku kryhet çmontim armësh apo municionesh luftarake. Në buxhetin e ndërmarrjes MEICO ishte parashikuar pagesa për mjetet e zjarrfikëseve. Pavarësisht se fondi për një gjë të tillë rezulton se është konsumuar, nga të dhënat e mbledhura prej Prokurorisë dhe nga dëshmitarët është mësuar se pranë fabrikës së Gërdecit nuk është mbajtur asnjëherë shërbimi i shuarjes së zjarrit në rast aksidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›