E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes vajza në Brindizi, viktima e 26-të e tragjedisë së Gërdecit

• TIRANE – Një tjetër e plagosur nga shpërthimet e municioneve dhe barutit në Gërdec, gjeti vdekjen dje në spitalin e Brindizit në Itali.

Në këtë mënyrë numri i të vdekurve të shkaktuar nga tragjedia arrin në 26 persona, nga të cilët shtatë kanë humbur jetën jashtë Shqipërisë në spitalet ku po kuroheshin dhe 19 të tjerë kanë mbërritur të vdekur në morgun e Tiranës. Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, Resmie Kranja, 19 vjeçe ka vdekur në spitalin e Brindizit ku kishte mbërritur disa ditë më parë për të marrë mjekime si pasojë e plagosjes nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Burimet zyrtare thanë se, viktima kishte pësuar djegie në 80 % të masës trupore dhe ky dyshohet se ka qenë shkaku i vdekjes së saj. Prej disa ditësh, 19-vjeçarja ndodhej nën mjekim intensiv në spitalin e Barit, por nuk ka mundur të mbijetonte si pasojë e dëmtimeve të rënda që kishte marrë nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Resmie Kranja ishte një nga personat që pësuan dëmtime serioze nga ngjarja e ndodhur pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Ajo fillimisht është transportuar nga forcat e policisë dhe të ushtrisë duke u vendosur në spitalet e Tiranës, por më pas u pa i nevojshëm trajtimi i specializuar mjekësor. Për këtë shkak, 19-vjeçarja është transportuar për mjekime në spitalin e Brindizit, ku gjeti vdekjen dje në orët e para të mëngjesit. Pjesa më e madhe e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë pësuar djegie dhe dëmtime me thyerje apo shembje të organeve për shkak të distancës së afërt me origjinën e shpërthimeve të fuqishme. Tragjedia e Gërdecit shkaktoi edhe plagosjen e 300 personave, punëtorë të fabrikës së demontimit apo banorë të zonës që u ndodhën pranë vendit të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›