E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Të mbahet izoluar në qeli agresori i kardiologut Refatllari

• TIRANE – “Jam skizofren, për të vërtetuar këtë disponoj raport mjekoligjor”.

 Kështu pohoi dje në Gjykatën e Tiranës, 35-vjeçari Arben Strazimiri, i cili qëlloi me thikë mjekun Ali Refatllari, shefin e Repartit të Kardiologjisë në QSUT. Para gjyqtares së gatshme në gjykatën e kryeqytetit, e cila vendosi masën “arrest në burg”, Strazimiri pranoi fajësinë, duke pretenduar se në momentin e krimit ndodhej nën efektin e narkotikëve të konsumuar. Më tej, ai pohoi se më parë ishte dënuar për një vepër tjetër dhe kishte fituar lirinë për shkak të problemeve shëndetësore që vuante prej shumë kohësh. Pas këtyre deklarimeve, avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata e ndaloi të jepte shpjegime të mëtejshme, ndërsa kërkoi vendosjen e një mase sigurie, izolim në banesë me afat 30 ditor ndaj klientit të saj, kohë e mjaftueshme, gjatë së cilës ai mund t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Ndërsa prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi para gjykatës se ngjarja e rëndë, autor i së cilës akuzohet të jetë Strazimiri ndodhi mëngjesin e së premtes, teksa mjeku Refatllari u qëllua tre herë me thikë në shpinë. Për këtë ngjarje u prangos Strazimiri, i cili mësohet të ketë pohuar në polici se shkak për grindjen ishte një shumë e konsiderueshme të hollash, që të afërmit e tij ia kishin paguar mjekut për një operacion në zemër të dajës së Strazimirit. Operacioni ishte kryer nga mjeku rreth 10 ditë para plagosjes, ndërsa mëngjesin e së premtes mësohet se, Strazimiri, nipi i të ndjerit, është konfliktuar me mjekun në zyrën e tij në spital, ku dhe ka mbetur i plagosur.                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›