E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikoi klandestinët nga Turqia me kamion, pranga shoferit në Tiranë

• TIRANE – Shoferi i një kamioni të mbërritur nga Turqia u arrestua dje në doganën e Tiranës me akuzën se, kishte trafikuar tre klandestinë, që kërkonin të mbërrinin në vendet Perëndimore.

 Policia bllokoi dje në doganën e Rinasit, tre persona me shtetësi turke që kishin udhëtuar në kamion të tonazhit të rëndë nga Turqia në Shqipëri. Antitrafiku i Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka ndaluar mesditën e djeshme, shoferin e kamionit, Mustafa Xhokyz, që drejtonte mjetin me targë 34 AU 6817, ndërsa trajleri mbante targat 34 DT 2766. Kamioni mësohet se ka kaluar mëngjesin e djeshëm pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku edhe është plumbosur. Destinacioni ka qenë Tirana, ku duhej të sillej malli i firmës “TOP Oil”, më së shumti vajra lubrifikantë, por edhe një seksion me mallra të përzierë. Gjatë procesit të çplumbosjes së kamionit në doganën e Tiranës, kontrollorët kanë vënë re se në mallin e importuar nga Turqia, ishin edhe tre persona që nuk ndodheshin në listën e produkteve që importonte kamioni. Menjëherë ata janë bllokuar dhe më pas ata janë transferuar në një ambient të doganës. Doganierët kanë urdhëruar bllokimin e kamionit dhe më pas ka mbërritur policia. Shoferit me shtetësi turke Mustafa Xhokyz, policia i ka vënë prangat me akuzën e trafikut ndërkombëtar të klandestinëve. Kamioni është bllokuar nga policia, ndërsa punonjësit e doganës kanë nisur inventarizimin e mallit. Hetuesit kanë nisur verifikimet e tyre për të zbuluar organizatorët e mundshëm të trafikut të klandestinëve që niste nga Turqia, për të kaluar përmes Maqedonisë, Bullgarisë, Shqipërisë e për të përfunduar në drejtim të vendeve të BE-së. Pagesa për një udhëtim të paligjshëm nga Turqia, drejtim të vendeve Perëndimore të BE-së, mësohet se kap minimalisht një shifër prej rreth 4 mijë eurosh.   d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›