E Diel, 1 Nëntor 2026

Afera, si u fsheh emri i aksionarit me origjinë serbe

Slobodan Markoviç “avullon” nga të dhënat publike. Zëvendësohet me biznesmenin shqiptar, Kolaveri

Habjon Hasani
Në kundërshtim të plotë me aktin e themelimit të filialit të saj shqiptar në gjykatë, firma austriake “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH” ka shmangur emrin e një prej përfaqësuesve të saj në Shqipëri. Ai është shtetasi serb, Slobodan Markoviç, i cili së bashku me sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës (në kohën e themelimit) kanë nënshkruar vendimin në fjalë. Ndryshe nga sa duhej të ishte në faqen zyrtare të austriakes “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH”, përbri emrit të Blegina Kodrës është emri i një biznesmeni shqiptar, i cili është Gëzim Kolaveri. Ky i fundit është dhe drejtues i firmës “ALBAN-TIRANA”, e cila është pajtuar si nënkontraktore nga firma austriake. Por cila është arsyeja që firma austriake nuk shpall publikisht emrat e administratorëve të vërtetë të filialit të saj shqiptar? Përse është fshehur emri i shtetasit serb Slobodan Markoviç, apo çfarë përfaqëson ky shtetas, i cili themelon në Shqipëri filial të “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH” vetëm pak kohë pasi kjo e fundit ka marrë të drejtën për ndërtimin e aksit Levan-Vlorë? Cilatdo qofshin përgjigjet, i sigurt është fakti se jo vetëm aksionarja “e preferuar” e kryeministrit, por edhe vetë firma austriake ka shfaqur kujdes të madh në fshehjen e gjurmëve të aksionarit serb, i cili do të përfitojë shuma të majme në sajë të kontratës që do të paguhet nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Zëvendësimi
Në mënyrë të pashpjegueshme emri i përfaqësuesit serb në Shqipëri të firmës “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH” është zëvendësuar me emrin e “nënkontraktorit” të tij, i cili është biznesmeni Gëzim Kolaveri. Normalisht Kolaveri rezulton si nënkontraktor i filialit shqiptar të “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH” në një prej veprave më të rëndësishme që ka fituar kjo firmë, megjithatë paraqitja e tij si përfaqësues ekskluziv ngelet e dyshimtë në kushtet kur për projektin e radhës firma të vendosë të pajtojë një tjetër nënkontraktor. Por edhe sikur firma të vazhdojë të lidhë marrëveshje nënkontraktuale me firmën “ALBAN-TIRANA” në pronësi të Kolaverit, ky fakt nuk mund të mohojë apo të rrëzojë të drejtat ekskluzive të përfaqësimit apo të drejtat aksionare të shtetasit serb, Slobodan Markoviç, i cili nuk gjendet kurrkund në shpalljet publike të “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH”.
Rastësitë
Një fakt tejet interesant lidhet me të dhënat e kontaktit të filialit shqiptar të “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH”. Kompania “mëmë”, me qendër në Austri, në të dhënat publike që ka shpallur për filialin e saj shqiptar ka dhënë dhe adresat si edhe numrat e telefonit. Por çuditërisht numri i telefonit nuk rezulton me ndonjë zyrë “ekskluzive” të kësaj firme, por me numrin telefonik dhe adresën e firmës “ALBAN-TIRANA” në pronësi të biznesmenit Kolaveri. Me të njëjtin numër i mirëpret njerëzit dhe zonja Kodra. Këtë fakt e vërteton më së miri dokumenti i regjistrimit të firmës “ALBAN-TIRANA”, në të cilin jepen të dhënat bazë. Kësisoj, i bie që zonja Kodra, si përfaqësuese ekskluzive (së bashku me Slobodan Markoviçin) e “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH”, është vendosur në zyrat e nënkontraktorit të saj të “ALBAN-TIRANA”. Në këto kushte do të ishte vërtet e vështirë të përcaktohej se cili është në të vërtetë nënkontraktori dhe cila do të ishte firma “mëmë”. Gjithsesi, i sigurt është fakti se edhe në këtë numër telefoni gjurmët e aksionarit serb të austriakes “ALPINE-MAYREDER Bau GmbH” nuk gjenden. Ndërkohë që biznesmeni Kolaveri rezulton dhe si ortak i firmës “ALBBOS”, e cila është një “joint venture” shqiptaro-boshnjake.

“ALPINE”, dje skadoi afati për mbikalimin e Kamzës

Dje duhet të kishin përfunduar punimet në mbikalimin e Kamzës. 28 maji ishte afati i përfundimit të këtij projekti në kontratën e lidhur mes firmës austriake. Sot duhet të kishin përfunduar punimet në mbikalimin e Kamzës. 28 maji është afati i përfundimit të këtij projekti në kontratën e lidhur mes firmës austriake “Alpine” dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Punimet jo vetëm që nuk kanë përfunduar, përkundrazi, do të kërkojnë ende shumë kohë. Pasojat e këtyre vonesave i vuajnë drejtuesit e automjeteve, të cilët janë të detyruar që të presin me minuta të tërë në trafik për të përshkruar pak metra. Një situatë që bëhet akoma më e rëndë me vapën e ditëve të fundit. Zona te mbikalimi i Kamzës është edhe nyja kryesore që lidh qytetin e Tiranës me atë të Durrësit. Me sezonin veror në prag, shtohet ndjeshëm fluksi i automjeteve që përshkojnë këtë rrugë. Kjo do të thotë se drejtuesit e automjeteve duhet të vuajnë shumë më tepër se deri tani. Kompania “Alpine” i ka nisur punimet më 12 qershor të vitit të kaluar dhe sipas kontratës ato duhet të kishin përfunduar në fund të prillit. Por Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit vendosi ta shtyjë me një muaj afatin e përfundimin të tyre, nisur nga vonesat me shpronësimet, reshjet dhe trafiku i dendur në këtë zonë. Afati i ri i vendosur në kontratë ishte data 28 maj, por as ky nuk u respektua. Në këto kushte, askush nuk di të thotë me saktësi se sa duhet të presin ende qytetarët për të përshkruar normalisht zonën në mbikalimin e Kamzës.

“ALPINE”, firma që i fiton tenderat “me magji”

Duket se firma austriake e përfaqësuar në Shqipëri nga një ish-vartëse e kryeministrit dhe një shtetas serb, ka “fituar” disa nga tenderat më të “shëndetshëm” në të cilët luhen dhjetëra miliona euro. Objekti i parë ishte rruga “Levan-Vlorë”, objekti i dytë ishte rruga “Levan-Tepelenë”, me vlerë 28.6 milionë euro dhe objekti i tretë është “Mbikalimi i Kamzës”, me vlerë 8.5 milionë euro, akorduar nga qeveria italiane. Aksi “Levan-Vlorë”, pas përurimit të bujshëm, duket se nuk po avancon. Ky aks po vazhdon të qëndrojë i bllokuar pa u kryer asnjë punim. Rruga “Levan-Tepelenë” është akoma në fazën e tratativave dhe nuk kanë filluar akoma punimet. Ndërkohë që projekti tjetër, ai i “Mbikalimit të Kthesës së Kamzës”, megjithëse fondi i dhënë nga qeveria italiane është 6 milionë euro dhe i miratuar nga parlamenti Shqiptar, fitimi i tenderit nga firma austriake, rezulton të jetë fituar me 8.5 milionë euro! Ndërkohë që fondi prej 2.5 milionë eurosh shtesë për mbylljen e punimeve të këtij objekti nuk është përcaktuar se kush do ta paguajë, vetëm dihet që është shtuar dhe askush s’di të thotë se kur kush dhe si do t’i lëvrojë ato 2.5 milionë euro më shumë në një kohë që projekti përcaktonte qartë vleftën prej 6 milionë eurosh.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›