Shkarkohet kryetari i Komunës së Kasharit
Me një vendim të posaçëm, qeveria shqiptare ka shkarkuar Alfred Sulajn, kreun e Komunës së Kasharit. Duket se shkarkimi i tij ka ardhur pas ”kopsitjes” së dosjeve me shkelje të bëra gjatë periudhës 2000-2007. Sulaj ndërkohë po procedohet penalisht nga Prokuroria dhe është në gjendje arresti. Sakaq, qeveria ka formalizuar vendimin për shkarkimin e tij. ”Bazuar në aktet e sipërpërmendura ndaj shtetasit Alfred Sulaj për periudhën 2000-20007, rezulton se janë kryer një sërë veprimesh të paligjshme në bashkëpunim me drejtues dhe nëpunës të Komunës Kashar në lidhje me ndarjen dhe administrimin e tokave bujqësore. Nga procesi i hetimit si dhe parashtrimit përmbledhës të fakteve dhe neneve të konsideruara të shkelura nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Sulaj rezulton se ka shkelur ligjin në disa raste duke kryer tjetërsimin e pronës së fshatarëve të Kasharit”, shkruhet në relacionin bashkëngjitur këtij vendimi. Sipas provave që ka mbledhur Prokuroria, në këtë falsifikim Alfred Sulaj ka bashkëpunuar me paraardhësin e tij, Faik Fejzo. "Prona i ishte dhënë familjes Kamberi që në vitin 1992 dhe ish-kreu i komunës, Faik Fejzo, së bashku me ish-kryeplakun e kësaj komune, Sulaj, me anë të falsifikimit të dokumenteve ia kanë kaluar këtë pronë të njohurve të tyre, të cilët e kanë shitur dhe kanë ndarë fitimin", - pohoi Prokuroria. Në lidhje me këtë abuzim, nga vendimi i gjykatës mësohet se është marrë në pyetje ish-punonjësi i zyrës së Kadastrës, Bardhyl Kamberi, i cili ka dëshmuar mënyrën e falsifikimit të këtyre dokumenteve dhe tjetërsimin e rreth 16 hektarëve tokë nga ish-krerët e komunës dhe punonjësit e kësaj komune. "Shtetasit Xhevair Hyka, Çelnike Gjonaj dhe Ismail Bakalli kanë përfituar toka në mënyrë të paligjshme duke prodhuar akte që përmbajnë të dhëna të rreme, akte këto të gjitha të falsifikuara", - thuhet në vendimin e gjykatës.
SAKTËSIM
Gazeta ”Albania” saktëson në lidhje me artikullin e djeshëm për ”Liberalizimin e vizave”, se zoti Ditmir Bushati është drejtues i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, e cila po monitoron Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave dhe hapat që duhet të hedhë Shqipëria në drejtim të liberalizimit të vizave.
29 Maj 2008