E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aferat “VIP”, cilat janë dosjet që kërcënojnë pushtetarët shqiptarë

Një pjesë e dosjeve janë harruar dhe janë pushuar krejtësisht. Ndryshe ka ndodhur me pushtetarët demokratë, që janë në hetim

Habjon Hasani
Për gati 13 vjet me radhë u kthye në një “traditë” nga Prokuroria shqiptare pushimi dhe zvarritja e dosjeve që implikonin pushtetarë të lartë. Tradita u thye pikërisht atëherë kur kryeministri Berisha, i sapoardhur në pushtet, akuzoi publikisht ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku se po “flinte gjumë” mbi dosjet e krimit. Nuk vonoi dhe në drejtimin e Theodhori Sollakut, prokuroria filloi hetimin e ministrit të preferuar të Berishës, Lulzim Basha, për abuzimet në tenderimin dhe projektimin e rrugës “Rrëshen-Kalimash”. Por, fill pas shpalljes së hetimit Sollaku u shkarkua nga presidenti i sapoemëruar Bamir Topi, ndërsa drejtuesja më e re e organit të akuzës quhej Ina Rama. Pas këtij emërimi Berisha u shpreh se ishin krijuar kushtet për hetimin e aferave monstruoze të qeverive socialiste. Megjithatë, shpërthimi i Gërdecit, apo skandali i pastrimit të parave të mikut të kryeministrit, kanë bërë që dosjet e qeverive socialiste të dalin nga vëmendja imediate e opinionit publik, megjithëse për tetë vite me radhë të pushtetit të socialistëve skandalet e ministrave tronditën opinionin publik në mënyrë të përsëritur. Po cilat janë këto dosje, fati i të cilave sot është më i papërcaktuar se kurrë?!
Dosjet
Një nga dosjet më të përfolura është ajo që u quajt si “skandali i vagonëve”, ku qeveria “Meta” akordoi një fond special për blerjen e vagonëve në Austri, ndërsa pak kohë më vonë u zbulua se vagonët në fjalë ishin një dhuratë për Shqipërinë. Sot kjo dosje është pushuar. Një tjetër dosje lidhet me Ministrinë e Mbrojtjes, ku në vitin 2002, ish-ministri Luan Hajdaraga u hetua për abuzime në miliona euro me ushqimet dhe veshmbathjet në ushtri. Kjo dosje është e pushuar.
Një tjetër dosje e hapur në vitin 2003 ishte ajo që u quajt dosja e “Fasadave”, e cila lidhej me abuzimet me fondet për lyerjen e pallateve anës rrugëve kryesore të kryeqytetit. Nuk vonoi dhe në vitin 2004, një tjetër dosje po hetohej nga prokuroria. Kësaj here objektivi ishin rrugët, ndërsa për hetim kaloi ish-drejtoresha e Rrugëve, Adriana Gjonaj, prokurorët parashikuan të merrnin në pyetje dhe ish-ministrin e Transporteve, Spartak Poçi. Kjo dosje është pushuar gjithashtu.
Skandalet
Pas vitit 2004 epiqendër e skandaleve me abuzimet u bë ish-ministri i Rendit, Igli Toska. Ai kaloi për procedim lidhur me dy dosje të ndryshme. E para lidhej me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe që u atribuonte krerëve të Ministrisë përgjegjësinë për miliona euro abuzime në proceset e tenderimit dhe prokurimeve për blerjen e thuajse të gjitha mallrave që kishte prokuruar Ministria. Hetimi nisi me vrull të madh, por sot asgjë nuk ka dalë në dritë dhe nuk dihet fati i kësaj dosjeje. Një tjetër çështje ku u hetua zoti Toska lidhej me atë që u quajt si skandali i kompleksit “Dinamo”. Dyshimet e ngritura publikisht se po tentohej shitja abuzive e mjediseve të kompleksit sportiv “Dinamo” në kryeqytet bënë që Prokuroria e Tiranës të vendoste hapjen e çështjes penale për hetim. Pasi u kryen një sërë investigimesh dhe marrjesh në pyetje, u vendos që të thirren zyrtarisht si persona në hetim ish-ministrat e qeverisjes socialiste, përkatësisht ai i Rendit Publik, Igli Toska dhe ai i Ekonomisë dhe Privatizimit, Anastas Angjeli. Dosja e procedimit penal nr. 3991, datë 23.12.2005, u pushua e po ashtu dhe akuzat ndaj dy zyrtarëve të majtë.

“Dosjet demokrate”, “Durrës-Kukës”, “Gërdeci”, “Fazlliç”

Dosja e rrugës “Rrëshen-Kalimash” duket se i ka situr të gjitha hetimet dhe pritet vetëm që Ministria e Transporteve të bëjë publik projektin. Fati i kësaj dosjeje u “vulos” nga rezultatet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konfirmoi pretendimet e Prokurorisë. Shkelje të konkurrencës në tender, çmime të diktuara nga firma "Bechtel" dhe evazion fiskal në dëm të buxhetit të shtetit. Kjo është përgjigjja që erdhi pak kohë më parë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rrugën “Rrëshen-Kalimash”. Ndërkohë, kopje të këtij raporti kanë mbërritur edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prokurorinë e Tiranës dhe në zyrën e prokurores së Përgjithshme. Thuajse në të njëjtën linjë me hetimin e Prokurorisë shfaqen në raportin e KLSH-së procedurat për përzgjedhjen e firmës fituese të tenderit, “Bechtel-Enka”. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, ka dorëzuar imunitetin për këtë çështje. Dëmi financiar llogaritet përafërsisht në 360 milionë euro.
Skandali më i frikshëm i klasifikuar si krim shtetëror dhe që ka vënë në bankën e të akuzuarve të opinionit publik vetë kryeministrin Sali Berisha. Bilanci: 25 të vdekur, një ministër i dorëhequr, i mbetur gjithashtu pa imunitet, dëme të pallogaritshme financiare. Në lidhje me dosjen “Gërdeci” sot ka tre të arrestuar dhe një ish-ministër në ndjekje penale. Kjo dosje duket se ka edhe më shumë komplikime në kushtet kur skandali i ka kaluar “doganat” e Shqipërisë, dhe po hetohet nga vetë Kongresi Amerikan. Madje Kongresi Amerikan ka zhvilluar edhe një seancë dëgjimore në lidhje me këtë çështje. Avancime në hetime ka bërë edhe Prokuroria Shqiptare. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi kohë më parë se Prokuroria ka hapur dosje hetimore edhe për trafikimin e armëve. Zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, pas arrestimit të pronarit të kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli, kanë vënë në lëvizje edhe organin shqiptar të akuzës. Numri një i këtij institucioni, Ina Rama, ka konfirmuar se homologëve të saj amerikanë u është kërkuar marrja në pyetje e Diverolit për llogari të hetimeve shqiptare.
Së fundi listës i është shtuar dhe hetimi i mikut të kryeministrit, Damir Fazlliç, i cili nën shoqërinë e kunatit të ministrit Basha dhe ortakes së juristes Argita Malltezi, ka arritur të pastrojë rreth 1.7 milion euro një vit më parë.

“Albtelekom”, dosja e tranzicionit që “bashkon PS-në me PD-në

Një dosje interesante që duket se i “lidh” qeveritë dhe krerët, madje të dy partive më të mëdha në vend, është dosja “Albtelekom”. I nisur si hetim në vitin 2005 për shkak të parregullsive të vërejtura në prokurimin e firmës që u përzgjodh fituese, ky hetim u mbështet fuqishëm nga ish-kreu i opozitës asokohe, Sali Berisha, që ndër të tjera deklaroi dhe zgjidhjen e kontratës në rast se vinte në pushtet. Rasti e deshi që Berisha të vinte në pushtet, por ndryshe nga sa u premtua, kontrata nuk u zgjidh, por thjesht u trukua. Por duket se trukimi “futi” në valle dhe zyrtarët demokratë, ndërsa oficeri i Policisë Gjyqësore që heton këtë dosje ka caktuar si elemente të domosdoshme për përfundimin e hetimeve “marrjen në pyetje të shtetasve Anastas Angjeli, Genc Ruli, Fatos Nano dhe Sali Berisha”.

Dosjet “VIP” që hetohen, ose “flenë” në prokurori

Dosja “Vagonët” - pushuar
Dosja “Fasadat” - pushuar
Dosja e rrugëve - pushuar
Dosja ”Dinamo” - pushuar
Dosja e “Orizit” - pushuar
Dosja e policëve - pushuar
Dosja “Durrës-Kukës” - përfunduar
Dosja “Gërdeci” - në hetim
Dosja “Fazlliç” - në hetim
Dosja “Albtelekom” - në hetim

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›