E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Alibeajt: “Drejtorët e burgjeve të japin më shumë leje për të dënuarit”

Të dënuarit që përfitojnë nga ky urdhër falë ligjit të ri për lejet. Drejtorët e burgjeve do të nisin shumë shpejt zbatimin e ligjit sipas rregullave

Laureta Rryçi

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që të jepen më shumë leje shpërblyese për të dënuarit. Urdhri, që duket se ka hequr “embargon” e vënë që në kohën kur në krye të burgjeve ishte Saimir Shehri, pritet të nisë zbatimin shumë shpejt në disa burgje të vendit tonë. Natyrisht që drejtorët që do të zbatojnë këtë urdhër do të bazohen në rregullat që përcaktohen në ligjin për trajtimin e të dënuarve. Sipas burimeve nga Drejtoria e Burgjeve, urdhri i Alibeajt ka pak ditë që ka mbërritur në tavolinën e drejtorit të Përgjithshëm, Gazmend Dibra. Do të jetë ky i fundit që do të merret edhe me zbatimin e tij duke i vënë në dijeni drejtorët nëpër të gjitha burgjet. Mirëpo megjithë urdhrin e ministrit, jo të gjithë të dënuarit mund të përfitojnë leje shpërblyese. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm kategoritë e të dënuarve që mund të përfitojnë nga ky urdhër. Falë ligjit të ri të miratuar, të dënuarit do t’u nënshtrohen procedurave të reja për të përfituar leje shpërblyese nga drejtuesit e burgjeve. Këshilli i Ministrave miratoi vetëm pak kohë më parë ligjin e ri për trajtimin e të dënuarve ku u përcaktuan dhe shumë rregulla të reja. Sipas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë, jo të gjithë të dënuarit do të përfitojnë si leje shpërblyese ashtu edhe leje të veçanta.
Lejet shpërblyese
Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe në total nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës.
Leja shpërblyese u jepet: a) personave të dënuar deri në tre vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;
b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;
c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.
Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore në përputhje me shkronjën “dh”, të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme. Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.
Leje të veçanta
Drejtori i institucionit mund t’u japë të dënuarve dhe të paraburgosurve leje të veçantë në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë. Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes. Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.

Të dënuarit që përfitojnë lejet shpërblyese

Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit.

Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës. Leja shpërblyese i jepet:

personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;

personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.

Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë,kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit.

Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën "dh” të Nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme.

Detyrimet gjatë lejes dhe përgjegjësia për shkeljet

I dënuari është i detyruar të respektojë kohën e lejes, ta kryejë atë në vendin për të cilin i është dhënë, të respektojë të gjitha detyrat dhe kushtëzimet që i janë dhënë dhe të njoftojë institucionin për çdo shmangie të imponuar.

Për mosrespektimin e rregullave të mësipërme, drejtori i institucionit ndërpret lejen, ndërsa për rastet e tejkalimeve në kundërshtim me kriteret e Neneve 59 dhe 60 të këtij ligji, kërkohet nisja e procedimit penal sipas Nenit 323 të Kodit Penal.

Shpërblimet

Ulja e dënimit

Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrim në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje, deri 90 ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri 45 ditë në vit.

Për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë, vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 muajve të fundit.

Ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës, në bazë të kërkesës së të dënuarit apo përfaqësuesit të tij, ose të drejtorit të institucionit.

Rregullat e transferimit

Transferimet bëhen për arsye të rënda sigurie, kur rrezikohet jeta ose shëndeti i të dënuarit nga të tjerët, kur ka mbipopullim në institucion, për nevoja të hetimit dhe gjykimit, për shkaqe shëndetësore dhe familjare, si dhe kur për shkak të formimit profesional është i nevojshëm në një institucion tjetër.

Transferimet duhet të favorizojnë mundësi që të dënuarit ta kryejnë dënimin pranë vendbanimeve të familjeve të tyre.

Të dënuarit duhet të transferohen së bashku me sendet vetjake.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›