E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat që kanë “kyçur” në zyrë zëvendësit

Shumica e zëvendësministrave janë kthyer në rrogëtarë. Nga 24 të tillë vetëm pak njihen nga publiku

Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave, përveç posteve të ministrave, përbëhet dhe nga zëvendësministrat. Madje kabineti qeveritar i kryeministrit Berisha ka gjithsej 24 zëvendësministra. Por gjatë katër viteve qeverisje vetëm pak prej tyre njihen nga publiku. Duket se ministrat kanë marrë përsipër të gjithë barrën e promovimit të punës së dikasterit të tyre, duke i “kyçur” zëvendësit në zyrë. Megjithëse posti i zëvendësministrit është një post jo pak i rëndësishëm, shumica e zëvendësministrave janë kthyer në zyrtarë. Të gjithë protagonizmin mediatik e kanë marrë ministrat. Ndërsa zëvendësministrat duken shumë rrallë në ndonjë mbledhje qeverie ku zëvendësojnë eprorin, apo në ndonjë aktivitet të nivelit të dytë.
Aktivët
Ndër më aktivët duket se janë zëvendësministrat e tre ministrive më të rëndësishme, siç është Ministria e Brendshme, ajo e Ekonomisë dhe e Financave. Kështu, zëvendësministrat Ferdinand Pone dhe Gent Strazimiri të Ministrisë së Brendshme janë shfaqur më aktivë se homologët e tyre të ministrive të tjera. Pone është shfaqur si përgjegjës i prodhimit të kartave të identitetit, të hartimit të regjistrimit kombëtar të gjendjes civile, si dhe për prodhimin e pasaportave biometrike. Ai madje ka qenë zëri i Ministrisë së Brendshme në komisionet parlamentare sa herë që është dashur informacion nga kjo ministri. Aktivë janë shfaqur dhe dy zëvendësministrat e Ekonomisë, si Eno Bozdo dhe Neritan Alibali. Dihet se pozicioni i tyre në këto dikastere është dhe politik, për shkak se janë vendosur në postet e zëvendësministrave në sajë të marrëveshjeve të nënshkruara nga PD-ja me aleatet e saj. Edhe zëvendësministrat e Ministrisë së Financave, Florian Mima dhe Sherefedin Shehu, kanë treguar gjatë pothuajse katër viteve në këtë pozicion se dinë të japin shpjegime dhe të mbajnë peshën e dikasterit që përfaqësojnë. Kështu, Mima njihet si “avokati” më i mirë i projektbuxheteve të qeverisë ndër vite. Edhe Shehu si një ekspert i çështjeve ekonomike.
Joaktivët
Ndërkaq, pjesa tjetër e zëvendësministrave janë thuajse të padukshëm në syrin e publikut. Madje disa janë të padëgjuar për shkak të pozicionit në hije që janë lënë nga eprorët e tyre. Në këtë grupim futen zëvendësministrat e Punëve të Jashtme, Harxhi dhe Gurakuqi. Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha njihet për profilin tejet aktiv në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm. Po kështu dhe zëvendësministri i Integrimit, Zef Bushati, përveç daljeve publike për shkak të pozicionit politik në Partinë e re Demokristiane, si zëvendësministër thuajse është në hije. Kjo dhe për shkak të rolit tejet aktiv të ministres Bregu. Ndërkaq, janë thuajse të panjohur zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, apo ata të Bujqësisë, Ndoc Fazllia e Ndue Preka, si dhe zëvendësministrat e Arsimit, Ardiana Gjonaj e Halit Shamata. Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, megjithëse është i vetëm në këtë post në këtë dikaster, ka preferuar të mbajë një rol në hije. Më ndryshe paraqiten zëvendësministrat e Mjedisit, Aleksandër Garuli e Taulant Bimo. Megjithatë, roli i zëvendësministrave dhe përgjegjësia që ata marrin varen kryesisht nga hapësira që u lënë eprorët e tyre ministra.

Zëvendësministrat e qeverisë “Berisha”

Ferdinand Pone
Zëvendësministër i Brendshëm
Gent Strazimiri
Zëvendësministër i Brendshëm

Kastriot Sulka
Zëvendësministër i Punës
Marjeta Zaçe
Zëvendësministre e Punës

Ndoc Fazllia
Zëvendësministër i Bujqësisë
Ndue Preka
Zëvendësministër i Bujqësisë

Zamira Sinoimeri
Zëvendësministre e Shëndetësisë
Arben Ivanaj
Zëvendësministër i Shëndetësisë

Suzana Turku
Zëvendësministre e Turizmit
Ekrem Spahiu
Zëvendësministër i Kulturës

Ardiana Gjonaj
Zëvendësministre e Arsimit
Halit Shamata
Zëvendësministër i Arsimit

Viktor Gumi
Zëvendësministër i Drejtësisë

Stavri Ristani
Zëvendësministër i Punëve Publike
Ernest Noka
Zëvendësministër i Punëve Publike

Eno Bozdo
Zëvendësministër i Ekonomisë
Neritan Alibali
Zëvendësministër i Ekonomisë

Florian Mima
Zëvendësministër i Financave
Sherefedin Shehu
Zëvendësministër i Financave

Aleksandër Garuli
Zëvendësministër i Mjedisit
Taulant Bimo
Zëvendësministër i Mjedisit

Zef Bushati
Zëvendësministër i Integrimit

Edith Harxhi
Zëvendësministre e Punëve të Jashtme
Anton Gurakuqi
Zëvendësministër i Punëve të Jashtme

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›