Ministria e Jashtme dënon shpërthimin në Prishtinë
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar dje ndaj shpërthimit të ndodhur një ditë më parë në ndërtesën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ndërsa ka vlerësuar qëndrimin e institucioneve të Kosovës ka dënuar këtë akt duke e cilësuar atë një akt që synon të dëmtojë imazhin e Republikës së Kosovës. “Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë shpërthimin e mbrëmshëm tek ndërtesa e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë (ICO) dhe e konsideron atë një akt që, edhe pse i izoluar, synon të dëmtojë frymën e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe faktorin ndërkombëtar, si dhe vullnetin e dëshmuar tashmë për vendosjen dhe shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës”, shprehet ministra e Jashtme shqiptare. Më pas në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë shkruhet se vlerëson reagimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës ndaj këtij akti të shëmtuar dhe dënimin e tij nga ana e tyre. “Duke rikonfirmuar mbështetjen maksimale për autoritetet e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme është e bindur se asgjë nuk do ta pengojë Kosovën për të ecur e sigurt përpara në ndërtimin e institucioneve, të shtetit të së drejtës dhe zbatimin rigoroz të ligjit, si dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur e demokratik, të integruar në familjen europiane dhe euroatlantike”, - vlerëson Ministria e Jashtme.
16 Nentor 2008