E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR-ja shprehet kundër planit serb për ndarjen e Kosovës



Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, është shprehur dje kundër planit serb për ndarjen territoriale të Kosovës. “Partia Republikane kundërshton kategorikisht përpjekjet e Beogradit për realizimin e planit prej gjashtë pikash që tenton ndarjen territoriale të Kosovës. Përpjekjet për të shkëputur nga qeverisja e Prishtinës Policinë, doganat dhe gjyqësorin në territoret kosovare, të pretenduara nga serbët, përbën një rrezik të madh për të ardhmen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj. Ky është një plan absurd, që u jep të drejtën 5% të popullsisë së Kosovës, që janë serbë, të krijojnë shtet brenda shtetit me struktura paralele”, - është shprehur Garuli. Sipas tij, realizimi i këtij plani do të destabilizonte në mënyrë të rrezikshme jo vetëm Kosovën, por edhe tërë rajonin. “Pavarësia e Kosovës dhe tërësia territoriale e saj tashmë janë të pakthyeshme. Partia Republikane mbështet dhe inkurajon qëndrimet konsekuente dhe të drejta të përfaqësuesve të shtetit kosovar dhe njëkohësisht shpreh bindjen se i gjithë spektri politik shqiptar, si pozita, ashtu edhe opozita, në çdo rrethanë të mundshme, do të mbështesin çështjen e drejtë të tërësisë territoriale të Kosovës. Ky është një moment ku politika shqiptare duhet të jetë në një zë për të mbrojtur hapur çështjen e të drejtave të Kosovës. Kosova është në rrezik, heshtja në këto momente do të kishte pasoja fatale për të ardhmen e kombit”,- është shprehur Garuili, ndërsa i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të reagojë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Topi niset drejt Qipros, për Takimin Ndërkombëtar për Paqen

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, në krye të një delegacioni zyrtar është nisur dje për në Qipro, ku është ftuar të marrë pjesë në Takimin Ndërkombëtar për Paqen: “Qytetërimi i Paqes: Besime dhe Kultura në Dialog”, i cili do të mbahet në Nikosia, në datat 16-18 nëntor 2008. Në këtë konferencë ndërkombëtare, ku do të trajtohen tema të rëndësishme lidhur me paqen në botë, ruajtjen e kulturave dhe besimeve fetare, shmangien e konflikteve dhe krijimin e dialogëve të qëndrueshëm mes popujve, do të marrin pjesë krerë shtetesh, personalitete të larta të UNESCO-s, të besimeve fetare, pedagogë universitetesh, teologë etj. Gjatë punimeve të konferencës, presidenti Topi do të përqendrojë diskutimin e tij mbi paqen në Mesdhe dhe sfidat e bashkëjetesës. Në kuadër të kësaj vizite, Kryetari i shtetit shqiptar pritet të zhvillojë takime të rëndësishme me personalitetet më të larta të shtetit qipriot, me Presidentin e Republikës së Qipros, Dimitris Hristofias, drejtues të lartë kishtarë, homologë etj.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›