E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, izolohen fshatrat e Pukës

 
Në këtë zonë për shkak të vështirësisë në qarkullim janë mbyllur edhe shkollat
 
Shkodër-Ulja e temperaturave ka sjellë vështirësi qarkullimi për banorët e automjetet e akseve rrugore malore të qarkut të Shkodrës. Të dhënat e fundit flasin për izolim të tre fshatrave në Pukë. Nga prefektura Shkodër mësohet se ka probleme në komunën malore të Iballës në rrethin e Pukës, ku tre fshatra të saj, përkatësisht Lëvozh, Gerë e Koprat janë të izoluara nga qendra e komunës e pjesët e tjera të saj. "Kjo situatë ka ardhur si pasojë e një stuhie dëbore e cila më pas ka ngrirë, duke e vështirësuar komunikimin e rreth 500 banorëve të këtyre fshatrave me pjesën tjetër",- bëjnë të ditur burimet zyrtare. Dhe shkollat në këto fshatra janë mbyllur për shkak të rrezikut që paraqet rruga e ngrirë. Vështirësi ka dhe në Këlmend , sidomos nga pjesa Qafë e Perolecit e deri në Vermoshku ngrica është e madhe dhe është gati e pamundur të kalohet. Ndonëse gjatë ditëve të fundit nuk ka pasur reshje dëbore ka ngrica të shumta.Në akse të tilla si Tamarë- Vermosh, Pukë- Fushë Arrës – Kukës, Qafë Mali- Fierzë, tek Mali i Shoshit dhe në Qafë Thore, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë, madje në disa segmente të këtyre akseve është i pamundur . Kjo për shkak të ngricës që shkon deri në disa cm, ndërsa temperaturat gjithnjë në ulje pengojnë shkrirjen e saj. Nga ndërmarrja e rrugëve rurale mësohet se po punohet për të mbajtur të zhbllokuara akset rrugore malore dhe mjetet e saj janë në gatishmërinë rast reshjesh dëbore .Sipas burimeve nga kjo ndërmarrje prej disa ditësh janë tre mjete të saj që po hedhin skorje në vendet ku ngrica është më e madhe, për të bërë të mundur kalimin e automjeteve.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›