Vrasësi i tre vëllezërve: Më gjykoni shpejt, se nuk paguaj dot
Korçë
Besim Karaj çohet në gjykatë i veshur me antiplumb. Pranon krimin dhe tregon si u arratis
Një proces gjyqësor të përshpejtuar, sepse nuk është në gjendje të përballojë shpenzimet. Kjo ka qenë kërkesa e autorit të vrasjes së trefishtë të vëllezërve Mulliri, kur është përballur për herë të parë me togat e zeza të Gjykatës së Faktit në Korçë. Pasi i është dhënë në mungesë masa e sigurisë arrest në burg pa afat, me akuzën e vrasjes me paramendim në rrethana të veçanta, Besim Karaj ka dalë mesditën e së enjtes në seancën e parë gjyqësore. Gjatë kësaj seance, Besim Karaj tregoi para trupit gjykues rrugën që ka ndjekur nga fshati Vidohovë, pasi kreu vrasjen e tre vëllezërve Mulliri dhe u vu në ndjekje nga policia. Karaj tha se pasi kishte hyrë vetëm pak metra në tokën greke, është detyruar të kthehet sërish prapa, sepse ka vënë re forca të shumta policie matanë kufirit. Ai tregoi se duke shkuar fillimisht në këmbë deri në një piramidë të kufirit, ka marrë rrugën më pas për në Pogradec. Duke ndjekur shinat e trenit, ai tha se ka shkuar deri në Elbasan. Vetëm një pjesë rrugë, nga Elbasani në Tiranë ai e ka bërë me furgon, duke mbajtur gjithnjë me vete armën me të cilën kreu edhe krimin e rëndë. Përsëri duke ndjekur shinat e trenit, Besim Karaj tha se kishte shkuar deri në Vorë dhe prej aty në Thumanë, në shtëpinë e vëllait të tij, Ferit Karaj. Të dy vëllezërit kanë rënë dakord që Besimi të dorëzohej në polici. Karaj, i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Mulliri, gjatë seancës së shkurtër për njohjen me vendimin për masën e sigurisë, ka qenë i veshur me antiplumb dhe i shoqëruar nga forca të shumta policie. Në këtë seancë nuk ka pasur asnjë të afërm të të akuzuarit, por as nga familja e viktimave. Pranimi i krimit dhe kërkesa për proces të përshpejtuar i sigurojnë vrasësit edhe uljen e një të tretës së dënimit, por që për këtë rast nuk ka vlerë, pasi dënimi që parashikohet për Karajn është burgimi i përjetshëm.
#