E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, Karzai pranon garën në raundin e dytë

 

Presidenti afgan Hamid Karzai ka njoftuar dje në një konferencë për shtyp se ka pranuar balotazhin për zgjedhjet presidenciale dhe ai do të zhvillohet më 7 nëntor. Bisedimet për të pasur një qeveri koalicioni nuk janë dakorduar. Data e zgjedhur nga Karzai përkon me atë të komisionit të pavarur elektoral, i cili tha më parë se një raund balotazhi ishte i domosdoshëm dhe data e përshtatshme do të ishte 7 nëntori. Në konferencën e Kabulit mori pjesë edhe Presidenti i Komisionit të Jashtëm të senatit amerikan, John Kerry. Pas një rinumërimi të kujdesshëm të votave në zonat ku janë konfirmuar mashtrime, u vërtetua se asnjë nga kandidatët nuk kishte arritur shumicën e duhur të votave për të marrë presidencën. Fillimisht Karzai u deklarua fitues me mbi 50 për qind të votave, por sipas komisionit ai ka marrë vetëm 49.67 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të zhvilluara më 20 gusht. Karzai kështu do t’i drejtohet raundit të dytë, ku do të garojë me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Abdullah Abdullah, megjithëse deklarohet ende i sigurt për fitoren e tij. Ai u bëri thirrje afganëve që të marrin pjesë në votime në raundin e dytë. Presidenti Obama e ka përgëzuar Karzain për vendimin e marrë. Ndërsa ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, e konsideroi mbajtjen e raundit të dytë të votimit presidencial si dëshmi të ekzistencës së demokracisë në Afganistan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›