Levë në kokë malazezit, s‘ktheu borxhin 20 mln
TIRANE - Një shtetas malazez u plagos mbrëmjen e të hënës, nga një person të cilit i kishte 20 milionë lekë të vjetra borxh. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, para shtëpisë ku banon prej disa muajsh malazezi Petar Marashi. I huaji, që kishte marrë edhe nënshtetësinë shqiptare dhe prej kohësh merrej me tregti në kryeqytet, ka denoncuar në Komisariatin nr.2, personin që e ka sulmuar në mbrëmje, duke e goditur disa herë në kokë me një levë hekuri. Sipas policisë 50-vjeçari është marrë në pyetje nga policia, në kohën kur ndodhej në Spitalin Ushtarak duke u mjekuar pas plagosjes dhe ka deklaruar se personit që e ka goditur me levë, ai i kishte 20 milionë lekë të vjetra borxh dhe nuk ia kishte kthyer akoma. Megjithëse ka pranuar se nuk i ka kthyer paratë 44-vjeçarit me iniciale Xh.P., i cili gjithashtu merrej me tregti, malazezi ka treguar se ai i kishte dhënë kohë për t’i kthyer borxhin dhe ky ishte brenda afatit të përcaktuar. Petar Marashi ka deklaruar se mbrëmjen e së hënës, Xh.P. e kishte marrë në telefon për ta takuar, në mënyrë që të diskutonin për kthimin e borxhit. Malazezi ka pranuar të zbresë poshtë që të bisedojë me të, por ka parë që ai kishte konsumuar pije alkoolike dhe që në momentin e parë kishte filluar ta fyente dhe ta kërcënonte. E më pas ka kapur një shufër hekuri, që ka gjetur pranë koshave të plehrave, dhe e ka goditur disa herë në kokë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Disa kalimtarë që kanë parë ngjarjen, kanë telefonuar menjëherë në sallën operative dhe një patrullë e Komisariatit nr.2 ka shkuar në vendin e ngjarjes. Menjëherë është transportuar për në Spitalin Ushtarak malazezi i plagosur, ndërkohë pas deklarimeve të tij në lidhje me autorin, policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij. Ndërkohë policia ka nisur procedim penal për të me akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”. e.d