E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet e tërmetit, banorët e Gjoricës: Do të bllokojmë rrugën

 

BULQIZE - Të paktën 60 banorë të komunës Gjoricë, kryesisht nga fshati Cerenec janë mbledhur dje paradite në oborrin e zyrave të komunës. Siç kanë paralajmëruar ata kërkuan bërjen transparente të sasive të parave që përfiton çdo familje dhe rikthimin e grupeve të rivlerësimit të shtëpive të banimit, pasi grupet e mëparshme nuk kanë kryer vlerësimin real të dëmeve. Përfaqësues të fshatrave Gjoricë e Poshtme, Gjoricë e Sipërme, Lubalesh, Viçisht janë takuar me kryetarin e komunës dhe i kanë kërkuar atij llogari pse ai dhe autoritetet vendore nuk publikojnë listat e përfituesve, pasi grupet e vlerësimit të orientuara nga administrata e komunës kanë abuzuar me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Agim Miftari, pas takimit që banorët e fshatit Cerenec kishin me kryetarin e komunës në intervistën e tij për gazetën “Panorama” tregon arsyet e kësaj gjendjeje. “Kur kemi parë listat që i mbanin zyrtarët e qarkut si “dokumente sekrete” jemi habitur për sasinë e parave që shteti na vuri në dispozicion për të riparuar dëmet e tërmetit të 6 shtatorit. Kërkuam që lista të publikohej në qendër të komunës, por kjo nuk pranohet as nga drejtuesit e komunës dhe as nga ato të qarkut”. Ai pohon se është i bindur për abuzime gjatë përpilimit të listës së dëmeve. “Mua dhe vëllait tim na janë dëmtuar shtëpitë, të cilat i kemi nën një çati. Në listat e Këshillit të Qarkut vëllai duhet të marrë 200 mijë lekë, ndërkohë unë 20 mijë lekë, kur dëmet janë të njëjta në të dyja banesat tona. Grupet e vlerësimit kanë punuar me korrektësi më të madhe në komunat e tjera se sa në komunën tonë. Megjithëse jemi komuna më e dëmtuar, fondi i dhënë është më pak se gjysma e fondit të dhënë për komunat që nuk kanë pasur problemet tona. Zerqani, një komunë më pak e dëmtuar ka përfituar mbi 400 milionë lekë, po aq edhe Shupenza, ndërkohë Gjorica vetëm 140 milionë lekë, shumë kjo e pamjaftueshme për të ndërtuar shtëpitë apo për t’i bërë të banueshme”. Miftari, ashtu dhe banorë të tjerë e cilësojnë ndarjen e parave në bazë të bindjeve partiake, duke akorduar shuma të mëdha për mbështetësit e së djathtës. Ai thotë se dje zhvilluan një takim me kryetarin e komunës Xhelal Mera dhe ai mori përsipër se do ta raportojë gjendjen në Drejtorinë e Emergjencave Civile Tiranë dhe se shumë shpejt do të ketë një përgjigje në lidhje me ankesat e banorëve. “Nëse kërkesat tona nuk zgjidhen jemi të vendosur të protestojmë deri në bllokimin e rrugës nacionale”, paralajmëron Miftari.            h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›