E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, partitë përplasen për kreun e këshilltarëve

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Përplasjet mes të majtës e së djathtës në KRRT-në e Vlorës u rikthyen fuqishëm dje, këtë herë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Anëtarët e majtë dhe ata të djathtë, në mbështetjen e së cilës janë dhe ata të LSI-së kanë nisur me debate këtë mbledhje që nuk pati asnjë rend dite. Veç përplasjeve mes anëtarësh, konflikti përfshiu dhe dy kryetarët e Këshillit Bashkiak që pretendojnë për këtë post. I pari është Arben Sinani, i zgjedhur ligjërisht, por i shkarkuar nga grupi i majtë në mbledhjen e kaluar si dhe të zgjedhurit prej tyre me shumicë votash, Kujtim Sulçe. Të dy kryetarët kanë zënë vend në podium për të marrë drejtimin e zhvillimit të mbledhjes. Por, anëtarët e djathtë kanë kundërshtuar menjëherë, duke i kërkuar Sinanit si kryetar i ligjshëm për ta vazhduar mbledhjen. Për 2 orë kanë vazhduar përplasjet e ashpra midis tyre. Sipas anëtarëve të djathtë, emërimi i Kujtim Sulçes u kthye mbrapsht nga prefekti dhe kjo e bën zgjedhjen e tij jolegjitime. Para zhvillimit të mbledhjes këshilltarët e djathtë kanë dalë me një deklaratë për shtyp ku kanë kundërshtuar edhe njëherë miratimin e shtesës së buxhetit të kërkuar prej të majtëve në mbledhjen e 1 muaji më parë. Në deklaratë janë hedhur akuza në drejtim të kreut të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në lidhje me ndryshimin e kreut të këshillit bashkiak si dhe shumës së investimit që kërkohet të miratohet, pa bërë asnjë transparencë. “Ne kërkojmë transparencë se ku do të shkojnë 2.6 miliard lekë nga taksat e vlonjatëve. Ne kërkojmë të mos shkelet ligji. Ne kërkojmë që këshilli bashkiak i Vlorës të mos bëhet mbështetës i objekteve pa leje që ju tentoni të ndërtoni në këtë qytet”, kanë qenë disa nga kërkesat e deklaratës, të cilat janë përsëritur nga të djathtët në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak. Ndërkohë që mbledhja nuk është quajtur legjitime nga të djathtët, këshilltarë të majtë këmbëngulnin se gjithçka ishte brenda bazës ligjore. “Ai që nuk është legjitim në këtë sallë është ish-kryetari Arben Sinani, të cilit vota e shumicës i ka hequr të drejtën e drejtimit të këtij këshilli”. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili thërriti këtë mbledhje, tha se gjithçka i është referuar bazës ligjore që orienton këtë këshill. “Në kushtet që prefekti nuk është shprehur për ligjshmërinë, pasi nuk njeh kryetarin, kur një pjesë këshilltarësh nuk njohin legjitimitetin dhe kur ka përplasje për njohjen e kryetarit, gjithçka do ta zgjidhë gjykata”, pohoi Gjika. Pas shumë debatesh, akuzash, kundërakuzash dhe fyerjesh personale, këshilltarët e majtë kërkuan 30 minuta pushim, por më pas nuk u mblodhën më në sallë për të vazhduar mbledhjen. Të majtët arrijnë numrin 24 në Këshillin Bashkiak, ndërsa të djathtët dhe ata të LSI-së, 21.

Këshilltarët

- 24 anëtarë ka në Këshillin Bashkiak të Vlorës koalicioni i majtë, me shumicë këshilltarësh të Partisë Socialiste

- 21 anëtarë përbëjnë koalicionin e djathtë të këshilltarëve të Vlorës, pjesa më e madhe e PD-së, ndërsa 4 prej tyre të LSI-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›