E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisnin agjencitë e udhëtimit, 2 në pranga

 

DURRES - Arrestohen dy grabitës, të cilët prej muajsh kishin vjedhur agjenci të ndryshme udhëtimi në Durrës, por edhe magazina industriale, dyqane dhe lokale. Në prangat e policisë kanë rënë Mario Kapedani, 25 vjeç banues në Durrës dhe Viktor Tutulani, 50 vjeç nga qyteti i Kavajës. Mbrëmjen e të hënës, seksioni për krimet kundër pronës finalizoi me sukses operacionin e koduar “Agjencia 127”, i cili goditi një prej bandave që vepronin në Durrës pas orës 24:00, kohë kur të gjitha agjencitë mbyllnin dyert. Teknika e vjedhjeve ishte e thjeshtë. Keqbërësit, të cilët mendohen se vepronin në grup prej 3-4 vetash thyenin xhamat e agjencive ndërkombëtare të biletave të trageteve, të autobusëve apo të avionëve duke marrë nga sirtarët sendet e çmuara, si: valutë, para shqiptare apo bileta udhëtimi. Policia e Durrësit ka zbardhur tërësisht mekanizmin e ngjarjes tek agjencitë “Taulantia”, “Stefi”, “Fertours”, “Alxhega”, “Albert G” dhe “Gersa”, të cilat rreth datave 12-15 shtator të këtij viti janë thyer me qëllim vjedhjen. Seriali i vjedhjeve nëpër agjenci lundrimesh, ka vijuar edhe me vjedhje nga më të ndryshmit në qendër të së cilave kanë qenë televizorë “plazma”, pompa lavazhi, makina metalprerëse dhe shufra alumini. Pasi i kanë marrë këta televizorë keqbërësit i kanë transportuar në qytetin e Tiranës, ku edhe i kanë shitur në një pikë riparimi. Lista e gjatë e vjedhjeve ndalet në numrin 12, por policia po heton implikimin e këtij rrjeti edhe në raste të tjera të ngjashme. Hetuesit kanë arritur të gjejnë të fshehura nga Tutulani dhe Kapedani një pjesë nga inventari prej 12 vjedhjesh të kryera prej tyre.                 o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›