E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev: Rusia në krah të Serbisë për çështjen e Kosovës

 

Deklarata e Presidentit rus, Dimitri Medvedev kundër statusit Pavarësi të Kosovës, ka marrë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve të Prishtinës. Gjatë një vizite në Beograd, nën masa të rrepta sigurie, Medvedev ka deklaruar përkushtimin e Rusisë për të qëndruar në krah të Serbisë për çështjen e Kosovës, “statusi i të cilës është ende i papërcaktuar”. Pas mbërritjes në Beograd, Medvedev u takua me homologun e tij serb, Boris Tadiç, ku deklaruan qëndrimet e tyre për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. “Rusia do vazhdojë të mbështesë Serbinë në çështjen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo mbështetje bazohet në ligjin ndërkombëtar”, tha Medvedev. Tadiç theksoi pas takimit se, “qetësisht presim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe jemi të gatshëm të fillojmë sërish bisedimet me shqiptarët e Kosovës, me qëllim gjetjen e një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është kundërpërgjigjur Presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev, për deklaratën e tij mbi statusin, duke thënë se çështja e statusit është punë e kryer. “Për mua dhe për qytetarët e Kosovës, çështja e Kosovës është kryer, statusi është zgjidhur dhe në atë kohë kur populli shqiptar ka vetëvendosur për t’u shkëputur nga politika e gjenocidit dhe e robërisë dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, çështja e Kosovës është e zgjidhur”, ka deklaruar Krasniqi. Vizita e Medvedevit në Serbi ishte e para e një lideri serb që në vitin 2002, kur në Beograd mbërriti  presidenti i atëhershëm, Vladimir Putin. Rreth 6.000 oficerë të policisë ishin dje në detyrë gjatë vizitës së Medvedevit, veç forcave ushtarake ruse që kanë mbërritur para një jave në Beograd dhe qëndrojnë si civilë. Çështjet ekonomike ishin në qendër të takimeve me zyrtarët serbë, ku mes të tjerash u fol dhe për huan prej 1 miliard dollarësh që Rusia do të japë për Serbinë. Në mesin e marrëveshjeve të nënshkruara është dhe ajo për ndërtimin e gazsjellësit të njohur si “Rryma e Jugut”. Moska pritet të ndërtojë edhe një depo nëntokësore gazi në Serbi me vlerë prej 25 milionë eurosh. “Ne jemi të hapur për dialog me të gjitha vendet, përfshi dhe Serbinë, sa i përket ngritjes së një arkitekture të re të sigurisë energjetike”, tha Medvedev, vizita e të cilit zhvillohet në 65-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe sovjetike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›