Afganistan, anulohet balotazhi,Karzai shpallet president
Pas vendimit të rivalit të presidentit aktual Hamid Karzai, për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në balotazhin e presidencialeve të 7 nëntorit, Komisioni i Zgjedhjeve në Afganistan ka njoftuar anulimin e këtij raundi. Një zëdhënës i Komisionit Zgjedhor shpalli president fituesin e raundit të parë, Hamid Karzai. Lëvizja erdhi edhe pas kërkesës së vazhdueshme nga ndërkombëtarët për anulimin e raundit të dytë për shkak të kërcënimeve të shumta për dhunë nga talebanët. Ish-ministri i Jashtëm afgan, Abdullah Abdullah u tërhoq të dielën nga raundi i dytë i planifikuar për më 7 nëntor, pasi paralajmëroi përgatitjen e manipulimeve kundër tij. Duke qenë se Kushtetuta e këtij vendi nuk e parashikonte një situatë të tillë, komisioni vendosi të shpallë fitues Karzain, duke i dhënë një mandat të dytë pesëvjeçar. Pa detyruar zyrtarisht, OKB-ja, SHBA-ja, Britania e qeveri të tjera e bënë të qartë se nuk do të rrezikonin jetët e trupave dhe punonjësve të tyre për të siguruar një raund të dytë zgjedhjesh, rezultati i të cilave dihej. Sipas KQZ-së afgane, synimi i mbajtjes së raundit të dytë ishte që të rikthehej një lloj besueshmërie në procesin zgjedhor, pas manipulimeve të para.