E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbesat e vrasësit: Daja kërcënoi të gjithë punëdhënësit tanë

 

VLORE - Mbesat e Shezai Zhabajt, i cili u arrestua për vrasjen e Stoli Sheraj, mohuan dje se viktima i kishte shfrytëzuar ato, duke hedhur poshtë pretendimet e dajës së tyre. Ato aluduan për gjendjen mendore të dajës së tyre, duke u shprehur se ai i rrihte ato herë pas here, ndërsa i akuzonte se i përdornin për qëllime personale të gjithë pronarët e subjekteve ku ato punonin.
“Unë kam punuar dhe madje shumë herë kam ndenjur të shtëpia e Stoli Sheraj. Ajo më ka trajtuar si vajzën e saj. Më punësoi për 6 muaj para dy vitesh, por më pas nuk më lejoi daja të vazhdoja më tej. Më thoshte se ajo me keqtrajtonte. Unë e kundërshtoja por ai këmbëngulte se ajo më shfrytëzonte”, u shpreh njëra nga motrat. Ato rrëfyen edhe rastet e herëpashershme kur Zhabaj zihej me punëdhënësit e tyre, madje deri në kërcënime me armë. Sipas tyre, kur ai i hoqi nga puna tek Stoli Sheraj, i çoi në Durrës për të punuar. “Punuam disa ditë, por dhe aty ai erdhi dhe u zu me pronarin e lokalit duke i nxjerrë edhe pistoletën, dhe thikën. Pasi e kërcënoi edhe atë erdhëm në Vlorë”, u shprehën dje vajzat. Sipas tyre, ai i ndiqte nga pas kudo që shkonim se mos u ndodhte ndonjë gjë. “Unë mbasi u largova nga lokali i Stolisë e kam takuar në rrugë shumë rrallë. Ndërsa ai na thoshte se ajo na shfrytëzon. Ne e kemi kundërshtuar, por ai na vinte në shtëpi dhe na rrihte ne dhe nënën tonë”, vijuan vajzat rrëfimin e tyre për dajën, i cili vrau Stoli Sherajn në lokalin e saj me 7 plumba kallashnikovi. Sipas tyre, ato e kishin denoncuar në polici, por ai u lirua pasi nënshkroi një deklaratë se nuk do t’i dhunonte më. “Mbas këtij rasti nuk vinte më në shtëpi, por na ndiqte nga pas. Shpesh herë më thoshte se je shumë e bukur. Edhe sot nuk e di pse ai e kreu vrasjen. Nuk ka pasur asnjë arsye, pasi viktima ka qenë shumë e rregullt dhe korrekte me ne. Kemi frikë se daja ynë ka ndonjë problem mendor. Ai ka qenë edhe në Itali në burg. Shpeshherë kishte sjellje anormale aq sa kishim frikë se ndonjë ditë do të na vriste ne dhe nënën”, u shpreh mbesa e madhe e Zhabajt. Sipas saj, ai kishte inat këdo që ato takonin apo punësoheshim. Madje, ajo përmendi tre raste të tjera ku ato janë  punësuar, por daja i tyre ka dashur të vrasë pronarët, pasi ai dyshonte se i shfrytëzonin mbesat.           q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›