Viktimat e Pavias, varrim në Lezhë
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Tre viktimat e ekzekutuara në Itali do të prehen në banesën e fundit në qytetin e Lezhës, tek të afërmit e tyre.Kjo është vendosur nga familja e Ndue Ndoit, i cili humbi në këtë tragjedi dy vajzat dhe mbesën e tij 3-vjeçare. Ai i bën apel shtetit që t’i ndihmojë për të sjellë trupat në Shqipëri, për t’iu bërë nderet e fundit nga njerëzit e tyre. Familja e Rina Mëlyshit dhe Ornela Ndoit jetojnë në qytetin e Lezhës, ndërsa ajo e vëllezërve Mëlyshi në Laç, por nuk është pranuar që varrimi i viktimave të bëhet tek ata. Në shtëpinë e dy motrave janë hapur dyert e mortit, ashtu si dhe në familjen Mëlyshi në Laç, ndërsa të gjithë janë në pritje të viktimave. Ditën e djeshme mësohet se familjarë të vëllezërve Anton e Alfred Mëlyshi kanë shkuar për ngushëllim në familjen Ndoi, pas negociatave që kanë kryer kryepleqtë, në bazë të zakoneve të kësaj zone. Dy familjet kanë treguar se kanë kaluar shumë mirë me njëra-tjetrën dhe nuk kanë pasur as më të voglën mosmarrëveshje deri në momentin kur 24-vjeçari Alfred Mëlyshi ekzekutoi kunatën, të motrën e saj dhe mbesën e mitur. Babai Ndue Ndoi tregon se nuk ka pasur asnjëherë asnjë konflikt me dhëndrin e tij apo me kunatin e vajzës. Ai tregon se e shoqja e tij e ka marrë lajmin e kobshëm ndërsa ishte nisur për të takuar të bijat. “Ajo mori vizën për të shkuar si turiste te vajzat. Sapo ka zbritur në stacionin e trenit në Itali ka marrë vesh masakrën, pak minuta pasi kishte ndodhur”. Kryefamiljari shprehet se ajo që e ka tronditur më shumë ishte fakti se me dhëndrin kanë kaluar shumë mirë dhe me familjen e tij, duke mos e menduar kurrë se ç’mund të ndodhte prej të vëllait. “Nuk kam asgjë me familjen e dhëndrit as me dhëndrin momentalisht. Ruaj të njëjtat raporte si më parë. Tani po pres të sqarohen rrethanat e krimit”, thotë Ndoi. Ai i bën thirrje qeverisë për ta ndihmuar që pas fatkeqësisë në shtëpinë e tij të ndërhyhet që së paku tre viktimat të jenë sa më shpejt në Lezhë, për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Vrasja e Rina Mëlyshit, 24 vjeçe, vajzës së saj 3-vjeçare dhe së motrës Ornela Ndoi, 19 vjeçe është kryer të shtunën. Autori i arrestuar është Alfred Mëlyshi, i cili dyshohet se e kreu masakrën pas debatit me të vëllanë.
Dëshmia e autorit Mëlyshi
I marrë në pyetje pas arrestimit, Alfred Mëlyshi, deklaroi se ishte vullneti i Zotit që të ndodhte kjo masakër. Për hetuesit, gjithçka ka ardhur pas grindjes së tij me të vëllanë, i cili i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia. I riu ishte bërë disa herë protagonist i ngjarjeve të dhunshme, duke sjellë shqetësime për familjen e të vëllait. Për të shmangur përplasjet me të tjerët, Anton Mëlyshi i kërkoi 24-vjeçarit të largohej, pa e menduar kurrë se i vëllai do t’i shuante familjen. Autori tentoi të vetëvritej pas vrasjes së kunatës, motrës së saj dhe mbesës vetëm 3 vjeçe.