Burrel, s’bënë kopjen e kartës, gjobë 1 mijë lekë
BURREL – Plot 270 votues të Bashkisë së Burrelit, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike pranë kësaj njësie vendore janë debitorë ndaj bashkisë me nga 1 mijë lekë sepse nuk kanë dorëzuar në afatin e duhur fotokopje të kartave të identitetit. Burime të sigurta informacioni pranë kësaj njësie lokale bëjnë të ditur se para zgjedhjeve afro 750 zgjedhës janë pajisur me kuponë që shërbenin për karta identiteti me vlerën 200 lekë dhe romët me kuponë falas, bazuar në një vendim të qeverisë. Kuponët u janë dërguar zgjedhësve nga administrata shtëpi më shtëpi, me qëllim që pas marrjes së kuponit t’u drejtohen qendrave të aplikimit për t’u pajisur me karta identiteti. Me këtë proces janë marrë kryesisht specialistët e sektorit të ndihmës ekonomike në bashki, të cilët ua kanë dërguar kuponët 750 votuesve në shtëpi. Të gjithë të trajtuarit me ndihmë ekonomike janë paraqitur për të aplikuar, ndryshe ato nuk do të përfitonin ndihmë ekonomike pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Drejtues të zyrës së ndihmës në bashki thanë se pas zgjedhjeve është kërkuar që të gjithë votuesit e pajisur me kuponë për karta identiteti duhet të paraqisnin në bashki fotokopje të kartës së identitetit, ndryshe nuk përfitonin 1000 lekëshin e premtuar nga qeveria, madje po sipas një VKM-je ata rrezikoheshin të përjashtoheshin nga skema e ndihmës ekonomike. 333 votues kanë dorëzuar në zyrën e ndihmës ekonomike fotokopjet e kartave dhe do të përfitojnë se shpejti 1000 lekë secili prej tyre, ndërkaq 270 votues të tjerëve do t’u mbahen nga fondi i ndihmës ekonomike nga 1000 lekë. h.p