Pacienti rreh dy mjekët
Etleva Delia
Urgjenca e Spitalit nr.5 të Tiranës është vënë në alarm mëngjesin e djeshëm, kur një i sëmurë mendor ka sulmuar fizikisht mjeken roje, duke e goditur me sende të forta. Duke mos e lënë me kaq i sëmuri, i cili ishte shtruar në spital prej disa ditësh, ka tentuar të godasë edhe një mjek tjetër të këtij spitali, i cili ka ndërhyrë për të shpëtuar kolegen. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se, një person i sëmurë psikik, në gjendje tejet agresive, sulmoi mjeken e urgjencës duke ushtruar ndaj saj dhunë fizike. Madje, burimet sqaruan se në rast se nuk do të njoftohej me kohë policia, jeta e mjekes, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, ishte në rrezik, duke qenë se pacienti ishte i pavetëdijshëm për veprimet që po bënte. Por ai është ndihmuar edhe nga të afërmit e tij, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e sulmit dhe nuk e kanë lejuar infermieren që t’i bëjë injeksionin qetësues. Në këtë moment është dashur që personeli mjekësor të lajmërojë policinë dhe efektivat e Komisariatit Nr.4 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të normalizuar situatën. Burime nga policia thanë se janë shoqëruar në polici dy persona, të afërm të pacientit me probleme mendore, të cilët kanë penguar stafin mjekësor që të kryejnë punën e tyre. Gjatë deklarimeve të tyre në polici, mësohet se ata e kanë penguar infermieren që t’i bënte injeksionin të sëmurit, pasi nuk e dinin se çfarë efektesh mund të kishte ky ilaç. Ndërsa burime nga policia sqaruan se mjekët që denoncuan ngjarjen, kanë sqaruar edhe rrethanat se si ndodhi sulmi në ambientet e Urgjencës së Spitalit nr.5 të QSUT-së. Mësohet se mjekja e urgjencës së Spitalit nr.5, ka qenë në punë e sipër, kur është përballur me pasigurinë për jetën, duke qenë se është sulmuar nga një pacient, i cili e ka goditur me çdo objekt të mundshëm që ka gjetur rreth e rrotull. Në momentin që mjekja ka dashur të shpëtojë nga sulmi, ka lajmëruar kolegët, por njëri prej tyre është bërë edhe vetë objekt i dhunës së pacientit. Ndërkohë, mjekja ka marrë një qetësues të fortë për t’i bërë injeksion të sëmurit e në këtë moment është penguar nga të afërmit e tij dhe në këtë moment është lajmëruar policia. Burime nga Komisariati nr.4, konfirmuan se pas mbërritjes së telefonatës nga salla operative, drejt spitalit u nisën një grup policësh për të normalizuar situatën.