E moshuara kanos të dashurën e djalit me thikë
TIRANE - Një grua 68-vjeçare është arrestuar dy ditë më parë nga policia e kryeqytetit, pas një denoncimi për kanosje nga një vajzë. Burime nga policia thanë se është arrestuar Xhevrie Kozi, me akuzën e “kanosjes” dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Sipas denoncimit që ka mbërritur në Komisariatin nr.6 e moshuara duke dashur të mos lejojë fejesën e djalit të saj me vajzën me iniciale B.R., që ai donte, i ka shkuar asaj në shtëpi e armatosur me pistoletë dhe me një thikë. Sipas policisë mësohet se 68-vjeçarja Kozi, i ka shkuar në shtëpi të dashurës së të birit dhe duke e kërcënuar me armë, i ka kërkuar që të ndahej nga djali i saj, ose në të kundërt do ta vriste. Mësohet se gruaja e moshuar nuk i ka dhënë asnjë shpjegim vajzës që ka kërcënuar apo edhe djalit të saj, se përse nuk e donte fejesën e tyre, duke u shprehur që thjeshtë nuk i pëlqente vajza. Pasi i ka thënë këto fjalë e moshuara është larguar nga banesa e vajzës dhe është kthyer në shtëpinë e saj në lagjen Kombinat të Tiranës. Ndërkohë, vajza e kërcënuar ka lajmëruar policinë dhe i ka shpjeguar situatën e krijuar në banesën e saj. Efektivat e Komisariatit nr.6 kanë shkuar në banesën e Xhevrie Kozit dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj saj i kanë gjetur një armë zjarri, pistoletë tip “Zastava” dhe një thikë, të dyja në brez. Të dyja armët u sekuestruan nga policia, ndërsa e moshuara u arrestua me akuzat e “kanosjes”, “prodhimit dhe të mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” dhe të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”.