E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, bombardimet amerikane marrin dhjetëra jetë

Goditjet ajrore amerikane
në Afganistan kanë
marrë jetën e shumë
civilëve vendas, përfshi
gra e fëmijë. Ky lajm u bë
i ditur nga zyrtarët e Kryqit të
Kuq, ndërkohë që zyrtarët afganë
të krahinës së Farahut bënë të
ditur për median e huaj se numri
i të vdekurve mund të jetë
mbi 100. Thuhet se civilët janë
goditur ndërsa po tentonin të
strehoheshin për t‘u mbrojtur
nga luftimet. Menjëherë pas
këtyre lajmeve, një skuadër amerikane
e posaçme është dërguar
në vendngjarje për hetime dhe
Presidenti afgan, Karzai, ka urdhëruar
nisjen e hetimeve edhe
nga organet vendase. Ai ndodhet
aktualisht në Shtetet e Bashkuara
për bisedime me Presidentin
Barak Obama dhe Presidentin
e Pakistanit, Zardatri. Vdekja e
një numri kaq të madh civilësh
ka ndryshuar edhe axhendën e
bisedimeve të Presidentit afgan.
Ai, kohët e fundit, i ka kërkuar
vazhdimisht forcave perëndimore
në vendin e tij që të reduktojnë
sa munden numrin e viktimave
civile. Ndërkohë, në Kabul, ka
mbërritur edhe sekretari amerikan
i Mbrojtjes, Gates. Komiteti
Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq
ka vëzhguar vendin e goditur
dhe raporton se veç viktimave
ka edhe shumë shkatërrime që
i janë bërë shtëpive dhe infrastrukturës
së brishtë të zonës
së goditur. Gjithçka ka ndodhur
kur forcat vendase kanë kërkuar
ndihmën e amerikanëve
për të luftuar disa kryengritës
afganë, por në vend të tyre janë
vrarë shumë civilë të pafajshëm.
Objektivat e sulmeve amerikane
kanë gjithmonë në shënjestër
militantë që fshihen nëpër baza
të ndryshme, ndërkohë që ato
përdoren edhe nga civilët për t‘u
fshehur nga sulmet ajrore dhe ky
mund të jetë shkaku i ngatërresës
fatale. Sipas sondazheve të
fundit, numri i viktimave civile
duket se është shqetësimi më i
madh që kanë afganët aktualisht
kur i pyesin në lidhje me praninë
e trupave të huaja në vendin e
tyre. Vitin që shkoi, ai pësoi një
rritje prej 40% në krahasim me
një vit më parë. Në Uashington,
Obama po zhvillon takime me
Presidentin e Afganistanit dhe
atë të Pakistanit. Ky i fundit po
përballet me një krizë gjithnjë e
në rritje në vendin e tij. Për sa i
përket vëzhgimit dhe verifikimit
të asaj që ka ndodhur nga ana e
gazetarëve të huaj apo grupeve
të të drejtave të njeriut, ato e
kanë të vështirë që të shkojnë
në zona shumë të largëta e të
rrezikshme, ndaj shpesh numri
i vrasjeve të civilëve mbetet i
pakonfirmuar plotësisht për një
kohë të gjatë. Ky është rasti i parë
kur amerikanët dhe vendasit do
të zhvillojnë një hetim të pavarur
ndaj çështjes dhe ndoshta më
pas do të ballafaqojnë të dhënat
për të vendosur se çfarë ka ndodhur.
Në zonën ku ka ndodhur
tragjedia, zyrtarët vendas po u
thonë njerëzve që të varrosin
kufomat, ndërkohë që hetuesit
kërkojnë që ato të qëndrojnë
ende mbi tokë për hetime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›