Afganistan, ekipet e Karzait dhe Abdullahit vetëshpallin fitoren
Në Afganistan ka nisur gara e kandidatëve më të fortë presidencialë për të shpallur fitoren, ende pa u numëruar fletët e votimit. Ekipet e shtabeve zgjedhore të presidentit Hamid Karzai dhe të ish-kryediplomatit Abdullah Abdullah, pretendojnë se kanë fituar shumicën e votave në zgjedhjet e së enjtes. Një zëdhënës i sfiduesit kryesor të Karzait, Sajed Aka Fazil Sançaraki tha se rezultatet që i kanë marrë nga vëzhguesit e tyre flasin se “Abdullah ka marrë 63 për qind të votave, ndërsa Hamid Karzai 31 për qind”. Por Komisioni i Pavarur Zgjedhor i Afganistanit ka kërkuar nga kandidatët presidencialë, që të kenë durim dhe t’i presin rezultatet e zgjedhjeve, që u mbajtën vetëm një ditë më parë. Rezultatet e para nga zgjedhjet presidenciale nuk priten para shtatorit. Presidenti amerikan, Barak Obama, NATO-ja dhe mbështetësit e tjerë perëndimor të qeverisë në Kabul, e kanë përgëzuar popullin e Afganistanit për atë që ata e kanë vlerësuar si votim të suksesshëm për president dhe për zyrtarë lokalë, me gjithë raportet për dalje të ulët në votime, për shkak të frikës nga sulmet e talibanëve (40-50 për qind pjesëmarrje). Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nëpërmjet të një deklarate, ka uruar afganët për pjesëmarrjen e tyre në votime dhe ka dënuar talibanët, Al-Kaidën dhe grupet e tjera ekstremiste, për përpjekje të shkatërrimit të zgjedhjeve. Ndërsa Komisioni Evropian ka kërkuar që kandidatët presidencialë në Afganistan, të “përmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultateve”.