Hajdari: Nëse Xhani ka fakte, t’i bëjë të ditura
Është hedhur në fushë me armët e tija më profesionale Shkëlqim Hajdari. Lidhur me debatin e mundshëm që ka shkaktuar deklarata bombastike e disatë e presidentit të Partizanit, Albert Xhani, Hajdari është shprehur kategorikisht: “Z. Xhani, por jo vetëm, nëse ka informacione mbi trukime ndeshjesh dhe skandale në botën e sportit shqiptar, duhet që ti denoncojë sa më parë”. Sipas tij edhe pse në Shqipëri prej vitit të kaluar (dhjetor 2008) ekziston tashmë ligji mbi trukimet e ndeshjeve, jo çdo deklaratë e një drejtuesi mund të merret parasysh nga prokurorët. “Ligji është në fuqi dhe realisht zgjidh të gjitha problemet që kishte lënë në vakum para se të miratohej. Por jo çdo deklaratë dhe çdo e thënë mund të merret parasysh nga prokurorët për të nisur një hetim. Është shumë e vërtetë që prokuroria nis hetime rishtazi për një çështje të caktuar, por në rastin e deklaratës së Xhanit mjafton që ai të vihet në lëvizje dhe nëse jepen fakte, edhe prokuroria do të vihet menjëherë në lëvizje”, ka pohuar Hajdari. Ky i fundit ëshë një nga inisiatorët që bëri të mundur jo vetëm përgatitjen e ligjit për trukimet por edhe shtytjen deri në miratimin nga parlamenti shqiptar.