E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi, Sejdiu, mbështetje nga Kosova: Jo marrëveshjes

 

Partitë politike dhe analistët në Kosovë kanë mbështetur qëndrimin e Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës në lidhje me refuzimin e nënshkrimit të protokollit mes EULEX-it dhe Serbisë. Sipas analistëve marrëveshja për bashkëpunim ndërpolicor me Serbinë, që po përpiqet ta nënshkruajë EULEX-i, do të kishte kuptim vetëm nëse rishikohet dhe duke përfshirë dhe Kosovën si palë nënshkruese të saj. Ekspertët në Prishtinë janë shprehur në “Evropa e lirë” se Institucionet e Kosovës duhet të tregohen më aktive në politikat e tyre në raport me misionin ndërkombëtar dhe vendet fqinje. Duke iu referuar protokollit të bashkëpunimit, që është paralajmëruar të nënshkruhet ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, analistë politikë, si dhe ekspertë të fushave të sigurisë konsiderojnë se ka ndodhur një anashkalim i Prishtinës zyrtare. Një ekspert i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi tha se marrëveshje të tilla bashkëpunimi ndërpolicor ka edhe me vende të tjera fqinje, por dallimi këtu qëndron se institucionet e Kosovës janë anashkaluar dhe marrëveshja nuk e përmend askund Kosovën. Sipas tij, Protokolli mes EULEX-it e Serbisë duhet të rishikohet. Kurse, në marrëveshjen eventuale ai kërkon përfshirjen e barabartë edhe të institucioneve të Kosovës. Ibishi kujtoi se aty nuk definohet as roli i EULEX-it e as ligjet, mbi bazën e të cilave do të zbatohej kjo marrëveshje. Protokolli EULEX-Serbi has në kritika edhe nga përfaqësues serbë. Marko Jakshiç, nënkryetar i Kuvendit të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, thotë se nënshkrimi i këtij protokolli paraqet tradhti për serbët, pasi Beogradi do të pranonte ekzistimin e kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Ne jemi të zhgënjyer me këtë marrëveshje dhe mendoj se sado që të jenë të rëndësishme vizat “Schengen” për Serbinë, nuk ia vlen që të dorëzohet 15 për qind e territorit për këtë qëllim”, tha Jakshiç. Pavarësisht rëndësisë që paraqet për Kosovën dhe Serbinë një marrëveshje e tillë bashkëpunimi, si institucionet, ashtu edhe ekspertët, kërkojnë që marrëveshja të rishikohet dhe që aty si palë e barabartë të përfshihet edhe Kosova me institucionet e saj shtetërore.
(Evropa e lirë)

Franca
EULEX-i nuk nënshkruan marrëveshje që do të mund të ishin në dëm të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Kështu është shprehur ambasadorja e Francës në Kosovë, Delphine Borione para se të përfundonte mandatin e saj në Kosovë, gjatë një interviste për Radio Kosovën. Sipas Borione, Bashkimi Evropian ka strategji shumë të qartë ndaj Kosovës, ta afrojë atë me BE-në. Ambasadorja franceze thotë se pavarësia e Kosovës tashmë është akt i kryer, ndërsa nënshkrimi i protokollit midis EULEX-it dhe Serbisë ka vetëm karakter teknik. “EULEX-i është këtu për të përkrahur autoritetet e Kosovës. Operon në kuadër të një mandati të definuar nga BE dhe në bazë të ftesës së presidentit kosovar. Është një mision teknik që angazhohet në disa fusha. Sa i përket strategjisë së BE-së në raport me Kosovën, unë mendoj se kjo strategji është mjaft e qartë dhe ajo ka të bëjë me afrimin e Kosovës me BE-në”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›