Bogdani, 2 gola si nxehje para Juves
Erjon Bogdani me dy golat e tij në miqësoren e fituar 12-0 të Kievos ndaj formacionit Sant’Anna d’Alfaedo, dha sinjale të mbara vetëm 48 orë përpara ndeshjes hapëse të verdhebluve veronezë në tranfertën e vështirë kundër Juventusit, që përkon me javën e parë të kampionatit italian, Seria A, ku marrin pjesë 20 skuadra. Sulmuesi shqiptar i Kievos i realizoi dopjetën e tij në pjesën e dytë. Në ndeshjen kundër Juves, i pranishëm në Torino do të jetë edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Në një prognozë të faqes së njohur sportive Eurosport.com për të 20 klubet e Serisë A, thuhet se forca e Kievos qëndron te grupi. Trajneri Di Karlo synon të luajë jo me tre sulmues (4-3-3), një rreshtim që ka rezultuar pak produktiv, por me një modul më pak spektakolar, por më shumë efikas. Erjon Bogdani (vetëm një gol sezonin e kaluar) konsiderohet si një nga lojtarët titullarë të 11-shit bazë dhe do të formojë dyshen e sulmit me kapitenin Pelizieri.