FSHF në ankth: Vetëm 3 klube kanë federuar lojtarët
Në prag të sezonit 2009-2010 të kampionatit të 71-të kombëtar, Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti Armand Duka kanë uruar për fillimi e tij. Në të njëjtën kohë Duka ka zbuluar edhe disa nga projektet që do të ketë federata për këtë sezon futbollistik. “Uroj që sezoni të jetë i mbarë dhe të na dhurojë sa më shumë spektakël. Kemi objektiv që ndeshjet të luhen në të gjitha stadiumet e Kategorisë Superiore si dhe të eliminojmë dhunën”, deklaroi presidenti i FSHF-se. Megjithëse kanë mbetur më pak se 24 orë nga fillimi i sezonit të ri ende një pjesë e madhe e klubeve nuk kanë federuar lojtarët. “Vetëm tre klube janë federuar, ndërsa të tjerët nuk kanë ardhur. Ne kemi bërë një grafik që të vinin tre e nga tre, por nuk janë paraqitur”, tha shefi i Sektorit te Garave te FSHF-se, Ilir Shulku. Komiteti Ekzekutiv i mbledhur ditën e enjte ka ndryshuar edhe skemën e përcaktimit të gjyqtarëve për kampionatin. Ndryshe nga përzgjedhja e deritanishme që është bërë me short, në bazë të konventave të organizmave ndërkombëtarë të futbollit, zgjedhja e gjyqtarëve do të behen me emërime. “Në përzgjedhjen e gjyqtarëve mos të ketë short, por do të bëhet me anë të emërimeve”, ka sqaruar Shulku.