Afganistan, presidentit Karzai i anulohet fitorja
Hamid Karzai nuk do të jetë presidenti i Afganistanit, pasi rinumërimi i votave nuk ka treguar fitoren në mbi 50 për qind të tij, aq sa i duhet një kandidati të marrë postin e presidentit, sipas Kushtetutës së vendit. Komisioni Zgjedhor për Ankesa i Afganistanit, që mbështetet nga Kombet e Bashkuara, ka publikuar dje raportin lidhur me akuzat për vjedhje të votave, ku ka konfirmuar shumë raste të tilla, duke urdhëruar anulimin e një sasie të votave për të dy kandidatët kryesorë. Ky komision ka thënë se raportin e ka dërguar edhe në adresë të Komisionit të Pavarur Zgjedhor të Afganistanit dhe ka rekomanduar “që të shpallet e pavlefshme një përqindje e caktuar e votave të secilit kandidat”. Sipas zyrtarëve, situata po shkon drejt një raundi të dytë votimi, pasi ulja e numrit të votave të Karzait është e konsiderueshme dhe nuk mund të evitojë rivotimin. Presidenti Hamid Karzai dhe Komisioni Elektoral i zgjedhur nga qeveria kanë refuzuar të pranojnë rezultatin dhe kanë kërcënuar të bllokojnë përpjekjet për një raund të dytë. Presidenti afgan thotë se i ka fituar votat e duhura, por vëzhguesit e BE-së pohojnë se gati një ndër katër vota ishin të dyshimta. Uashingtoni ka pezulluar dërgimin e trupave të tjerë në Afganistan, derisa të arrihet një zgjidhje politike. Raporti i ankesave u përpilua dy muaj pas zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit, të karakterizuara “me vjedhje e mashtrime”. Nëse në vend palët bien dakord të zhvillojnë raundin e dytë të zgjedhjeve, rivalët do të jenë presidenti aktual Hamid Karzai dhe Abdullah Abdullah, ish-ministër i Jashtëm i vendit.