Korçë, 50 biznese kërkojnë ulje taksash
KORÇE - Zgjatja e punimeve prej më shumë se dy muajsh për rikonstruksionin e shëtitores "Republika" në Korçë ka ulur ndjeshëm ritmin e punës së disa subjekteve. Rreth 50 biznese kërkojnë që për periudhën që vazhdon rikonstruksioni para bizneseve të tyre, të përjashtohen nga taksat e tatimet. Kjo për faktin se ka rënë pothuajse në zero xhiroja, pasi klientët për shkak të baltës e ujërave të shumta kanë munguar. Gjendja e vështirë plot baltë dhe materiale ndërtimi nuk dihet se kur do të marrë fund. Për gjendjen e krijuar reagoi edhe kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto. Sipas tij, këta dyqane janë të hapura, por nuk kanë aktivitet, mbasi në bulevardin kryesor që kanë para ka mëse dy muaj që po punohet. "Ne e dimë këtë shqetësim të tyre dhe po përpiqemi t'i mbështesim. Ka diçka të parashikuar edhe në ligj që na lejon t'i drejtohemi bashkisë ose Këshillit Bashkiak, që në rrethana të tilla të shqyrtojë uljen e taksave ose barrën fiskale", u shpreh ai. Rikonstruksioni i Bulevardit nuk duhet të prekë interesat e biznesit të vogël, që me punën e përditshme të tij përballon nevojat e jetës së përditshme", u shpreh Nasto. Për këtë qëllim në emër të shoqatës pritet që të çohet në bashki apeli i 50 bizneseve të mësipërme, me kërkesën për ulje të barrës fiskale. Është Këshilli Bashkiak që do të vendosë nëse do ta marrë në konsideratë ose jo kërkesën e tyre. j.gj