Afrika e Jugut duhet ta njohë Kosovën
Për aq kohë sa ne e përkrahim Serbinë për çështjen e Kosovës, dhe për aq sa e përkrahim Kinën kur bëhet fjalë për autonominë e Tibetit, ne po zgjedhim rreshtimin kundër vlerave demokratike të dinjitetit njerëzor, barazisë dhe lirisë, të mbrojtura me Kushtetutën tonë. Njoftimi im i paradokohshëm se po planifikoj që pushimin e radhës ta bëjë në Kosovë, kryesisht u prit me kureshtje, por edhe me entuziazëm nga disa turma për të cilën “shtetet në zhvillim janë vetëm për të dobëtit”. Një prej reagimeve më të shpeshta, përveç atyre të tipit “pse”, ishte: “Pse, a bëhet fjalë vërtet për një shtet?”. Por, ajo që fillimisht dukej si një pyetje injorante, mendoj se kërkon një shqyrtim më të kujdesshëm.
As qeveria e Afrikës Jugore vërtet nuk e mendon Kosovën si shtet. Ish-krahina autonome e Serbisë, që tani është shteti i dytë më i ri në botë, pas Sudanit Jugor, Republika e Kosovës, e ka shpallur pavarësinë e saj më 17 Shkurt 2008, dhe që nga atëherë është pranuar nga 85 shtete, nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Konfliktin etnik në shtetin më të varfër në Europë, me një shkallë papunësie që mund të krahasohet me Afrikën Jugore dhe me një histori të dhunshme jo aq të largët, dikush mund ta krahasojë me konfliktin jo të largët etnik në Afrikën Jugore. Popullata e Kosovës përbëhet nga mbi 90 përqind shqiptarë dhe nga vetëm 5 përqind serbë, edhe pse u sundua nga Serbia gjatë pjesës më të madhe të historisë së saj të re. Ky shtet i vogël dhe pa bregdet përjetoi, njësoj sikurse edhe Afrika Jugore, shtypjen e shumicës me dhunë nga ana e një pushteti të pakicës. Kultura shqiptare por edhe njerëzit e saj u shtypën sistematikisht, përderisa përdorimi i shqipes nëpër shkolla ishte ndaluar, me qëllim të favorizimit të gjuhës amtare të pakicës - serbishtes.
Ju tingëllon e njohur kjo? Gjendja e jashtëzakonshme u shpall në vitin 1990, dhe ajo më vonë eskaloi në një luftë të përgjakshme, së cilës shpesh iu referuam si pastrim etnik, për të përfunduar tek në vitin 1999, me ndihmën e intervenimit nga jashtë - një subjekt ky krejtësisht kundërthënës në vetvete. Kosova u administrua nga UNMIK-u deri sa nuk e shpalli njëanshëm pavarësinë e saj, në vitin 2008. Asokohe, deklarimi i njëanshëm i pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh u konsiderua si një veprim kontrovers ligjërisht (dhe politikisht). Mirëpo, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), me insistimin e Serbisë - e cila qartazi që tani i ka rënë pishman - në korrik të vitit 2010 shpalli një këshillë jodetyruese, e cila esencialisht konstaton se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk e shkelë ligjin ndërkombëtar.
E drejt e vetëvendosjes është njëra prej të drejtave fondamentale të ligjit për të drejtat e njeriut, të cilën e pranon edhe Kushtetuta jonë. Rrjedhimisht, duke konsideruar vlerat tona konstitucionale dhe duke u shtuar atyre edhe mendimin e ICJ-së, por edhe ngjashmëritë mes historisë së Kosovës dhe asaj të Afrikës Jugore, dikush do të priste që ne të ishim vendosmërisht pro pavarësisë së Kosovës. Por, përkundër faktit që jemi njëri ndër shtetet që votuan në favor të opinionit të ICJ-së, ne menjëherë e injoruam atë. Rreth një muaj pas shpalljes së mendimit të ICJ-së, ministrja për Marrëdhënie dhe Bashkëpunim me Jashtë, Maite Nkoana-Mashabane, takoi zyrtarët serbë dhe ua konfirmoi se Afrika Jugore nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, dhe se do të vazhdojë ta mbështesë Serbinë në këtë çështje (Serbia, natyrisht, është zotuar se kurrë s’do ta njoh pavarësinë e Kosovës).
Deri më sot pozicioni ynë lidhur me këtë çështje ishte i palëkundur pro-Serbisë. E atëherë, gjatë një kthese të përnjëhershme por jo dhe të papritur muajin e kaluar, duket se presidenti Jacob Zuma filloi të bënte premtime pro-pavarësisë së Kosovës. Se a do të rezultojë kjo me ndonjë pozicionim konkret mbetet të shihet. Por, trendi fatkeq i Afrikës Jugore sa i përket politikës së jashtme duket se do të vazhdojë. Komentet e famshme të Desmond Tutu’s rreth sagës së Dalai Lama’s për vizë, sipas të cilave Afrika Jugore nuk do të duhej vënë në anën e regjimeve shtypëse dhe se do të duhej të vepronte në pajtim me përkushtimin tonë për të drejtat e njeriut, tingëllojnë po aq të vërteta edhe në këtë rast. Konflikti në Kosovë mund edhe të ketë mbaruar, por historia e shtypjes ende shihet qartë rrugëve të Prishtinës, ndërkaq tensionet etnike ende mbesin të larta. Për aq kohë sa ne e përkrahim Serbinë për çështjen e Kosovës, dhe për aq sa e përkrahim Kinën kur bëhet fjalë për autonominë e Tibetit, ne po zgjedhim rreshtimin kundër vlerave demokratike të dinjitetit njerëzor, barazisë dhe lirisë, të mbrojtura me Kushtetutën tonë. Meqë edhe ne jemi një demokraci në transicion, Qeveria e Afrikës Jugore të paktën mund të shtiret dhe të interesohet pak më shumë për Kosovën, e jo vetëm në kalim e sipër. Jam e sigurt se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të mirëpres që të dy, edhe ministren Nkoana-Mashabane edhe çantën e saj të dorës.
Autorja është avokate dhe mbrojtëse e lirisë së të shprehurit, nga Afrika e Jugut. Shkrimi është botuar në blogun www.thoughtleader.co.za