Afrikano-veriorët punësohen si peshkatarë në Durrës
Rreth 30 vetë të ardhur nga shtetet e Afrikës së Veriut kanë nisur të punojnë si peshkatarë dhe mekanikë
DURRËS- Në mjediset e portit të peshkimit të Durrësit tashmë kanë filluar të punësohen peshkatarë të huaj e kryesisht afrikano-veriorë. Ata punojnë në anije të ndryshme si peshkatarë dhe si mekanikë. Peshkatarët thonë se janë rreth 30 të tillë dhe se ata paguhen zakonisht me rrogë bazë.
Ardhja e tyre u paralajmërua që në vitin 2006, kur kryetari i Shoqatës së Menaxhim-Peshkimit, Qemal Beu, duke folur mbi kufizimet e shumta që përballonin peshkatarët e Durrësit pati thënë, se mosripërtëritja e fuqisë punëtore me profesionistë të vertetë dhe rënia e të ardhurave do të çonte deri në ardhjen e afrikanëve për të bërë këtë punë, tashmë të papreferuar nga rinia durrsake dhe të tjerët.
Kryetari i sindikatës së peshkimit Klodian Kapiti thotë se ka pas filluar aktivitetin e saj një shkollë profesionale për përgatitjen e peshkatarëve të rinj, por ajo tashti ka dalë jashtë funksionit, ndërkohë që peshkatarët me përvojë po moshohen çdo ditë dhe dalja në pension e tyre kërkon që të zëvendësohen me të rinj.
Sipas peshkatarëve, kjo ndodh sepse kriza që ka përfshirë ekonominë e vendit po reflektohet gjerësisht edhe në industrinë e peshkimit. Peshkatarët të ndodhur përballë vështirësive të shumta janë të detyruar që ta braktisin detin, pasi edhe ata e ndiejnë veten të braktisur nga shteti i tyre.
Ata thonë se prej dy viteve e gjysmë u është ndërprerë edhe furnizimi me naftë pa akcizë. Flotilja e peshkimit që përbëhet nga rreth 130 mjete detare tashmë është në një dergjje masive.
Prej tyre, vetëm 30- 40 copë janë të afta që të dalin në peshkim. Peshkatarët janë takuar me përfaqësuesit e pushtetit lokal, ku u kanë parashtruar disa kërkesa për zgjidhje.