E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali psikiatrik, një kujdestar për 60 të sëmurë

KUSHTET/ Drejtori i spitalit, Erjon Sula, shprehet se shkak për vdekjen e dy pacientëve ka qenë mungesa e personelit

ELBASAN - Spitali psikiatrik i Elbasanit regjistron mungesa të theksuara të personelit, çka nga drejtuesit e këtij institucioni është cilësuar edhe si shkak për vdekjen e dy prej pacientëve rreth gjashtë muaj më parë, njëri prej të cilit u sulmua nga të sëmurët e tjerë, ndërsa tjetri u vetëvar. Në fakt, sipas burimeve zyrtare, në turnet e dyta dhe të treta për 60 të sëmurë ka vetëm një kujdestar dhe një infermier.

Drejtuesit e spitalit sqarojnë se personeli është me mungesa dhe shpesh ata përballen vetë me rrezikun, pasi është i pamundur izolimi i një të sëmuri në momentin kur ai është i shqetësuar.

Aktualisht në spitalin psikiatrik janë 310 pacientë rezidentë në 8 pavione, por numri i shtrimeve është edhe më i madh. Në vitin 2008 në këtë spital ka pasur rreth 600 shtrime, duke e vështirësuar punën.

Ndërsa, përveç numrit të ulët të personelit, pacientëve u shtohet edhe një numër prej 70 personash të lindur me probleme mendore, për të cilët duhet të kujdeset Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale.


Problemet


Drejtori i ri i spitalit, Erjon Sula, duke ndjekur sugjerimet e personelit të mjekëve, deklaron se problemet janë të shumta dhe i janë bërë prezente organeve përkatëse. "Ne kemi një numër të madh pacientësh dhe në krahasim me punonjësit, ai është edhe i madh.

Po kështu kemi 70 pacientë të lindur me probleme mendore, të cilët nuk i përkasin spitalit psikiatrik. Këta e kanë të vështirë të jetojnë me pacientët e tjerë dhe në këtë mënyrë është krijuar një pavion i veçantë, duke i ndarë meshkujt nga femrat. Ky grup nuk merr mjekime si të tjerët, por vetëm përkujdesje.

Personeli psikiatrik kujdeset edhe për këtë kategori në një kohë që nuk është detyrë e tij",- thotë drejtuesi. Ndërsa për numrin e personave, ai thotë se me hyrjet e daljet janë rreth 600 pacientë në një vit. Vështirësia shtohet edhe për faktin se ka shumë raste kur familjet nuk i marrin të sëmurët, edhe pse ata kanë përmirësim.


Rastet


"Personeli është shumë i paktë. Janë tetë pavione me nga 50-60-70 pacientë. Në turnet e dyta e të treta shërben në një pavion, një infermier dhe një kujdestar për kurimin, për ushqimin, për veshjen, për t'i nxjerrë në hapësirën e tyre. P.sh. vjet një i sëmurë u sulmua nga të tjerët.

Ç'mund të bëjnë ata kur përfshihen 10 të sëmurë në një grindje? Ndërkohë një person tjetër që kishte tentuar 7 herë vetëvrasjen, gjeti momentin kur infermieri dhe kujdestari po merreshin me një pacient të sapoardhur. Edhe në këtë rast nuk e kishte në dorë personeli.

Rreziku është dypalësh, pasi edhe pacienti mund të dëmtohet kur një person nuk ka mundësi ta izolojë. Ne kemi kërkuar rritjen e personelit. Ka një normë apo një protokoll mjekimi se si duhet të veprohet, por edhe në sjelljen përballë ngjarjeve që nuk janë të rralla në këtë lloj kategorie.

Sa të sëmurë mund të mbulojë një person i vetëm, kur sot ne kemi rastin kur një kujdestar mbulon 60 vetë? Çfarë mund të presësh në këtë rast nga personeli?

Duhet një shërbim 24 orësh, të paktën me 4 veta për të izoluar të sëmurët në raste irritimi. Ne na e kanë konfirmuar kërkesën tonë, por deri tani s'kemi ndonjë përgjigje mbi atë çfarë do të bëhet me personelin",- thotë drejtori i spitalit, duke shprehur kështu druajtjen për detyrën e vështirë që kanë.

Punonjësit vetë thonë se ata ndihen të pambrojtur dhe se duke qenë se nuk ka një shërbim sigurie, edhe ata mund të kenë probleme me sulmet nga të sëmurët.

Mungesë ushqimi dhe veshjesh


Normat e ushqimit për pacientët e spitalit psikiatrik të Elbasanit janë ende ato të vitit 1998. Kërkesat për rritjen e kësaj norme me ndryshimin e çmimeve është bërë çdo vit duke filluar nga 2004-a.

Sipas drejtorit teknik të spitalit spikiatrik, është përllogaritur një normë prej 485 lekësh të reja nga 257 lekë që është aktualisht. Me këto norma ushqimi është i pamjaftueshëm për të sëmurët, të cilët, siç e thotë edhe raporti i Avokatit të Popullit, "ndodhen në dietë".


Po kështu, një problem tjetër i spitalit janë veshjet mjaft të vjetëruara dhe materialet e buta po ashtu kanë mbetur ato të shumë viteve më parë. Ndërkohë që ka pasur disi përmirësim në ambiente, ky spital mbetet objekt kritikash, edhe pse problemet nuk janë subjektive, por objektive dhe të ngritura disa herë nga drejtuesit e këtij spitali.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›