Tre në pranga për armëmbajtjen pa leje
SHKODËR - Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Shkodrës me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe prishjes së rendit dhe qetësisë publike. Luan Nika, 32 vjeç, lindur e banues në fshatin Leporosh të komunës Gruemirë në Malësinë e Madhe dhe Taulant Hoti, 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër janë ndaluar.
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 01:30, në një lokal në fshatin Beltojë Taulant Hoti ka qëlluar me armë në ajër. Kjo armë i përkiste Luan Nikës dhe ishte pa leje.
Policia ka marrë informacion për të shtënat dhe, pasi ka shkuar tek lokali, ka bërë ndalimin e dy personave dhe ka sekuestruar pistoletën së bashku me një fishek dhe dy gëzhoja. Luan Nika akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa Taulant Hoti për prishje të rendit e qetësisë publike.
Policia ka ndaluar edhe shtetasin Fatjon Hoti, 26 vjeç, lindur e banues në lagjen "Ahmet Haxhia" në Shkodër, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar prej saj në një lokal privat, i është gjetur në trup një armë zjarri pistoletë TT me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Përfundon pastrimi i gjirit të Vlorës
VLORË - Përfundoi dje stërvitja e përbashkët mes efektivave të Flotës Detare të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Holandës, e koduar "Albanian Lion 09".
Kjo stërvitje, e para pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, përfshiu forcat speciale, shërbimet e forcave detare dhe operacionin e pastrimit të sipërfaqes nënujore të gjirit detar të Vlorës, nga predhat dhe municionet luftarake, të mbetura nga periudha të ndryshme.
Në të morën pjesë 8 mjete lundruese luftarake shqiptare dhe 200 efektiva, helikopterë ushtarakë, si dhe 4 anije ushtarake të Forcave Detare të Mbretërisë së Holandës me 350 efektiva.
Pjesë e stërvitjes së përbashkët shqiptaro-holandeze, ishte edhe Tanker Desantuesi "Roterdam", një nga mjetet lundruese më të spikatura të Forcave Detare Holandeze, si dhe tre zbarkues.
Në ditën e fundit të stërvitjes së përbashkët u zhvillua një zbarkim i improvizuar i forcave speciale respektive, në bregdetin e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit, ku u përfshinë të gjitha elementet luftarake.
Stërvitja e përbashkët shqiptaro-holandeze "Albanian Lion 09", nisi dy javë më parë. Gjatë një jave u zhvillua edhe operacioni i pastrimit të sipërfaqes nënujore të gjirit të Vlorës, i koduar EOD.
Gjatë kësaj periudhe u hoqën dhe u asgjësuan rreth 2 tonë predha dhe municione të mbetura nga periudha e Luftës së Dytë Botërore etj, duke u pastruar 4 pika të infektuara, në zona të ndryshme të bregdetit të gjirit të Vlorës.
Sipas shefit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Maksim Malaj, tashmë gjiri detar i Vlorës është plotësisht i sigurt.