E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohet mina e dytë detare

Të dielën në orët e mesditës në afërsi të zonës së Pashalimanit, është kryer asgjësimi i një mine të dytë detare, e cila u gjet në thellësi të ujërave të gjirit të Vlorës. Mina është asgjësuar në thellësi të gjirit të Vlorës në afërsi të vendit të njohur "Shën Vasil".

Ajo është gjetur dhe transportuar me pajisje speciale deri tek vendi i asgjësimit dhe më pas është hedhur ne erë nga trupat e specializuara xheniere. Sipas pjesëmarrësve dhe vëzhguesve okularë në këtë asgjësim, ajo është hedhur në erë rreth orës 15:00 të së dielës.

Burime zyrtare shprehen se edhe kjo minë e prodhimit gjerman të tipit DY i përkiste periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe se qëndrimi i saj në thellësi të ujërave tona përbënte një rrezik të përhershëm për mjetet detare, si dhe për personat që janë amatorë të zhytjeve në thellësi të ujërave gjatë sezoneve të verës.

Minat qenë zbuluar që më parë me mjete moderne të kontrolleve nënujore metaldedektore me mikroprocesorë dhe qenë fotografuar në pozicionet ku ndodheshin.

------------------------------------------------------------------------------

Narta rinis festën treditore të Karnavaleve


VLORË - Në fshatin Nartë të Vlorës ka marrë jetë festa më e madhe e përvitshme e kësaj zone. Karnavalet, njohur ndryshe si festa e traditës së këtij fshati, të cilat zgjasin 72 orë, janë çelur paraditen e djeshme dhe do të vijojnë deri ditën e martë.

Në fshatin Nartë çdo vit si një shenjë mirëseardhjeje të ditëve verore organizohen karnavalet, një festë kjo që tashmë bashkon komunitetin e kësaj zone në fshatin që po braktiset. Banorët thonë se kjo festë fetare ka marrë jetë nga viti 1922 e deri më sot.

Sipas banorëve, edhe gjatë regjimit komunist ku të tilla festa u ndaluan, karnavalet në Nartë bëheshin fshehurazi. Besimtarët ortodoksë në këtë fshat janë shumë të dhënë pas kesaj feste, çka duket tek mënyra se si i organizojnë, pjesëmarrja e tyre masive. Madje, edhe shqiptarët emigrantë vijnë nga vendet fqinje për të qenë të pranishëm në këtë ditë pranë vendit të tyre.

Tipike janë maskat e shumta të përdorura, të cilat përfshijnë nga figura të njohura popullore e deri tek kafshët apo personazhe filmash vizatimorë.

Përveç veshjeve në këto karnavale janë karakteristike vezët e kuqe të Pashkës, të cilat shpërndahen nëpër familje të ndryshme duke i shkëmbyer me të tyret, iu jepen vizitorëve dhe pjesëmarrësve në karnavale. Traditë gjithashtu është edhe bërja kurban e qengjit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›