Ekzploziv shtëpisë së Avokatit të Pinarit
TIRANE- Eksploziv banesës së avokatit të njohur Artan Zeneli, mbrojtësi i Ylli Pinarit dhe ish- kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë i rrëzuar nga Kuvendi.
Shpërthimi nuk ka shkaktuar viktima, pasi avokati i njohur nuk ndodhej në banesë në momentin e shpërthimit dhe sipas fqinjëve, ai ka qenë jashtë vendit dje së bashku me gruan dhe dy fëmijët.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 02:00, ndaj të gdhirë kur një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në katin e shtatë të pallatit ku banon avokati, në rrugën "Sami Frashëri", pranë shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi".
Deri më tani, policia nuk ka ndonjë motiv mbi ngjarjen, po hetimet janë shtrirë në pistat e konflitkeve personale, por më tepër në drejtim të çështjeve që kanë të bëjnë me profesionin.
Zeneli, njihet më së shumti si avokat i angazhuar në proceset civile dhe përfaqësues ligjor i kompanive të fuqishme private. Shpërthimi ka shkaktuar jo pak panik në banorët e pallatit si dhe në të gjithtë zonën.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes me shpejtësi për të kryer hetimet e para dhe marrjen e dëshmive të mundshme. Policia ka marrë dëshmitë e fqinjëve të Zenelit, mes të cilëve, sipas burimeve të policisë, ishte edhe nëna e tij, e cila banon në një apartament ngjitur me të birin, në të njëjtin kat.
Sot pritet që policia të marrë kontakt me Zenelin mbi pretendimet e tij, ndërsa ai dje mësohet se është kthyer nga jashtë Shqipërisë, ku po pushonte bashkë me familjen.
Shpërthimi
Sipas burimeve të policisë, shpërthimi ka shkatuar dëmtime të shumta të banesave në katet fqinje dhe sigurisht në katin e shtatë ku kishe ndodhur shpërthimi.
Ekspertët kanë vënë re se në vendin ku ishte instaluar materiali eksploziv, ishte hapur një gropë relativisht e madhe, me diametër 30 cm si dhe me thellësi më tepër se 10 cm.
Ekspertët kanë marrë kampione të mbetjeve të dheut dhe të blozës së gjetur aty, të cilat më pas janë dërguar për ekzaminimet përkatëse në laboratorin Kriminalistik të Institutit të Policisë Shkencore.
Nga këqyrja e kryer dhe nga veprimet përkatëse, specialistët xhenierë, kanë vënë re se shpërthimi është shkaktuar nga një material i llojit tritol me një sasi prej më tepër se 100 gramësh. Ndërkaq, ekspertët kanë kryer veprime dhe ekzaminime edhe në banesat e dëmtuara për të kuptuar sasinë e mundshme të lëndës plasëse të përdorur nga autorët.
Hetimi
Veprimi i parë i kryer nga hetuesit e policisë gjatë mëngjesit të djeshëm ka qenë thirrja e të gjithë fqinjëve të familjes Zeneli, mes të cilëve edhe e ëma e avokatit të njohur që banon në të njëjtin kat me të birin në një apartament rreth 60 m2.
Ata kanë pohuar se nuk dinin që Zeneli të kishte pasur ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje, së paku në dijeninë e tyre.
Një dyshim i organeve të policisë lidhet me faktin se ai është avokat i Ylli Pinarit, ish- drejtor i MEICO-s, duke bërë një rebus për hetuesit personin që mund të ketë qenë i interesuar për të ushtruar presion ndaj Zenelit. Ndërkaq, hetuesit po punojnë edhe në pista të tjera.
Banorët dëgjuam një shpërthim të fuqishëm
Sipas banorëve të pallatit ku jetonte gjyqtari Artan Zeneli, shpërthimi ishte i fuqishëm edhe pse nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Po sipas fqinjëve të gjyqtarit, para shpërthimit që ka ndodhur në orët e vona të natës, nuk është dëgjuar asnjë lëvizje.
"Ndodhi rreth orës 02:00 të natës, ndërsa avokati Zeneli nuk ishte aty,- pohon një burrë i thinjur i veshur me një palë pantallona të zeza me një xhakavento të bardhë që banon në të njëjtin kat. "Pas shpërthimit, bashkë me disa fqinjë të tjerë dolëm për të parë çfarë kishte ndodhur.
Pamë që kishte ndodhur shpërthim pranë banesës së avokatit Artan Zeneli,- tregon fqinji i tij. Më tej ai pohon se para se të ndodhte shpërthimi nuk kishte dëgjuar gjë, pasi kishte qenë në gjumë, me familjen në shtëpi. I njëjti person që kërkon të mos identifikohet tregon se nuk dinte që fqinji i tij të kishte pasur konflikte.