E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ne shqiptarët që mbrojtëm refugjatët e Darfurit"

Rrëfimi i kapiten Bekim Fisnikut, komandant i misionit të parë paqeruajtës në Çad të
Afrikës

Temperatura e lartë dhe stuhitë e rërës, e papritura për misionin tonë në Afrikë. Gjenerali irlandez përgëzoi për misionin trupat shqiptare


Pak javë, pas përfundimit të misionit të parë paqeruajtës të ushtarakëve Shqiptarë në një shtet afrikan, në Çad, kreu i misionit të parë shqiptar ka rrëfyer ditët e nxehta, ruajtjen e autokolonave ushtarake, ruajtjen e delegacioneve të rëndësishme në kampin europian e deri tek kriza e Darfurit.

Kapiten Bekim Fisniku, tregon se vështirësia më e madhe për ta ishin temperaturat e larta dhe stuhitë e pafund të rërës, në kryeqytetin e Çadit N'djamena, ku ishte vendosur edhe misioni paqëruajtës shqiptar. "Misioni në Çad nuk na u desh të përdornim armët, por duhej të mbronim refugjatët dhe delegacionet".


Ky ishte misioni i parë në Çad të Afrikës. Si do ta shikonit këtë mision në krahasim me misionet e tjera paqeruajtëse në Irak, Bosnjë apo Afganistan?

Misioni në Çad të Afrikës ishte eksperiencë e parë për Shqipërinë nën komandën e EUFOR-it të Bashkimit Europian.

Duke qenë se kam përvojën si paqeruajtës në Irak, mund të them se ndryshimi midis misioneve në Irak apo Afganistan është se këto janë misione të vendosjes së paqes, ndërsa në Çad është mision për ruajtjen e paqes.

Misioni i vendosjes së paqes ndryshon nga ai i ruajtjes së paqes, sepse në të parin ka veprime luftarake për të ruajtur jetën e ushtarakëve që marrin pjesë në këtë mision, kurse në misionin për ruajtjen e paqes, konkretisht në Çad jemi angazhuar në ruajtjen e jetës së refugjatëve si dhe të shpërngulurve nga kriza e Darfurit.

Prania jonë atje ishte shumë e rëndësishme për mbrojtjen e jetës së tyre atje.


Cilat ishin detyrat që duhet të kryente misioni i paqeruajtësve shqiptarë gjatë qëndrimit në këtë shtet? Çfarë kishte të veçantë në këto detyra?


Kontingjenti shqiptar në Çad ka patur si detyrë kryesore ruajtjen e kampit Europa, një kamp tranzit ku qëndronin forcat paqeruajtëse të EUFOR-it. Misioni EUFOR është një mision i Bashkimit Europian ku marrin pjesë të gjitha shtetet ë BE-së.

Në këtë mision morën pjesë dhe tre shtete që nuk janë pjesë e BE-së si Shqipëria, Kroacia dhe Rusia. Detyra të tjera ishin ruajtja e personelit të UN-së, shoqërimi i autokolonave ushtarake, shoqërimi i delegacioneve që vizitonin kampin.

Mund të përmend këtu vizitën e delegacionit të Ambasadorëve të Afrikës, vizitën e Komandantit të Operacionit EUFOR Çad në rajonin e Afrikës qendrore, Gjeneralin nga Irlanda Patrik Nah (Patrick Nach). Qëllimi i vizitës së tyre ishte për të parë kushtet e jetesës së trupave në terren dhe për t'i falënderuar ato për detyrën.


Si mund ta përshkruani detyrën që kishte kontingjenti? Çfarë e vështirësonte më shumë këtë mision?


Siç e përmenda edhe më lart, detyra kryesore e kontingjentit ishte ruajtja e kampit Europa. Detyra vështirësohej fillimisht nga kushtet e motit, më pas ambientimi me klimën e atij vendi.

Gjithashtu temperatura e lartë ka qenë një rrezik i përkohshëm gjatë qëndrimit në Çad, e cila varionte nga 38 deri 50 gradë celsius.

Tjetër vështirësi në kryerjen e detyrës tonë ishin edhe stuhitë e shpeshta të rërës të cilat ishin të pranishme pothuajse gjatë gjithë kohës.


Gjatë qëndrimit të trupave komando në Çad, a ju është dashur paqeruajtësve të përdorin armën dhe në çfarë rastesh?



Për të ardhur te përgjigja e pyetjes tuaj më lejoni të bëj një parantezë të shkurtër. Kontingjenti që unë drejtova, para nisjes për në mision ka kaluar në një fazë intensive stërvitore e cila ishte e ndërtuar mbi skenarët e mundshme që kontingjenti mund të përballej gjatë kryerjes së misionit. Një nga këto skenarë ka qenë edhe reagimi ndaj incidenteve të mundshëm.

Falë kësaj përgatitjeje por pa përjashtuar edhe fatin gjatë kryerjes së misionit kontingjenti nuk është përballur me incidente, që do të thotë se nuk ka qenë i nevojshëm kalimi në masën ekstreme atë të përdorimit të armëve të zjarrit.


Sa ka qenë i mundur kontakti me familjarët, duke marrë parasysh se misioni ka zgjatur rreth 9 muaj?


Ka një thënie të Napoleonit që thotë se "forca morale qëndron ndaj forcës fizike si treshi ndaj njëshit". E vendosur në kontekstin e pyetjes suaj do të thoja se pa mbështetjen e familjeve tona, pavarësisht përgatitjes, misioni nuk do të ishte i suksesshëm.

Për ta patur gjithmonë këtë mbështetje ishte i nevojshëm komunikim, i cili në fakt nuk ka munguar për asnjë çast dhe është realizuar përmes telefonit, dhe internetit që ishin vënë në dispozicion nga misioni EUFOR. Si komandant i misionit kam pasur edhe komunikim zyrtar me eprorët e mi në Tiranë.


Bekim, do të ishit i gatshëm të shërbeni përsëri në një mision paqeruajtës, në ato vende ku Shqipëria kontribuon me misione ushtarake ?


Detyra jonë si ushtarakë të një vendi anëtar i NATO-s, është t'i përgjigjemi gjithmonë interesit të kombit. Nëse ky interes kërkon që unë të shkoj në një mision tjetër paqeruajtës, patjetër që jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.


Çfarë do të thotë për një ushtarak, aderimi i Shqipërisë në Aleancën më të madhe politiko-ushtarake në botë, në NATO?


Anëtarësimi i vendit tonë në NATO do të thotë shumë për të gjithë e në veçanti për ne si ushtarakë. Aq sa është një gëzim i ligjshëm për një ëndërr brezash po aq është edhe një përgjegjësi për ne që patëm fatin ta prekim.

Jo se deri tani nuk kemi treguar se jemi të denjë për të qenë përkrah kolegëve tanë anëtarë të NATO-s, por me statusin e ri, atë të anëtarit, na bën të ndjehemi të barabartë mes të barabartëve.


A mund të më thoni se cili ishte suksesi i misionit gjatë qëndrimit 9-mujor në Çad?


Suksesi i kontingjentit tonë mund të them se ka qenë i plotë konkretisht në ruajtjen e kampit Europa.

Suksesi u vu re që ditën e parë të misionit ku pas takimit që patëm me Komandantin e Operacionit Gjeneral Brigade Zhan Filip Ganaskia nga i cili morën komplimentet më të mira për kryerjen e misionit.

Ky lloj vlerësimi është marrë dhe në fund të misionit tonë. Si përfundim mund të them që u kthyem nga Çadi pasi e kryem me sukses të gjithë misionin ushtarak.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›