E Diel, 1 Nëntor 2026

Kritika dhe media shtrëngojnë duart, debat në Filologjik

Kritikët letrarë ankohen se nuk gjejnë hapësirë në media, ndërsa mediat se nuk ka kritikë…
Do gjendet ndonjëherë një rrugë e mesme që ti pajtojë të dyja këto institucione, në të mirë të lexuesit? Dëshira për gjetjen e një zgjidhjeje mblodhi dje bashkë specialistë të letërsisë dhe përfaqësues të medias së shkruar dhe vizive. Ishte Departamenti i Letërsisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, që me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit kishte organizuar një kalendar aktivitetesh, si një panair libri me pjesëmarrje të disa prej shtëpive botuese më të njohura shqiptare, promovime të botimeve të fakultetit, si edhe një tryezë të rrumbullakët. Tema e kësaj të fundit ishte gjetja e një bashkëpunimi të frytshëm mes kritikës letrare dhe mediave, me qëllim që lexuesi shqiptar të orientohet si duhet drejt veprave me vlera reale dhe jo atyre të fryra artificialisht, për shkak të publicitetit. Ishte shefja e Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri, që shtroi çështjen për debat, pasi u dha më parë të pranishmëve lajmin e mirë të ardhjes në jetë të revistës kritike Letra, një lloj zgjidhjeje dhe tamponi mes kritikës dhe medias. Më tej u pasua nga diskutimet e të pranishmëve, të cilët sollën eksperiencat e tyre në fushat që ata mbulojnë.
Debati
Jo rrallë media akuzohet se orienton keq lexuesin dhe se në faqet e saj nuk ka vend për kritikën e vërtetë. Si palë e akuzuar, drejtori i gazetës Panorama, Andi Tela, u shpreh se hapësira në media nuk ka munguar për kritikën e vërtetë, kur ajo është koncize, jo e mërzitshme dhe jo e sheqerosur. Për një tjetër përfaqësues mediash, Roland Qafokun, problemi me shkrimet kritike qëndron te mënyra se si ato shkruhen. Sipas Qafokut, ato duhet të jenë të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe jo me terminologji të ngarkuar, në mënyrë që të jetë sa më e kapshme për lexuesin. Për gazetarin Adi Krasta (ende nuk është mësuar me cilësimin showmen), askush nuk mund ta pengojë fjalën, kur ajo është e vërtetë dhe e thënë bukur. Si një njeri që i njeh shumë mirë mediat, por edhe kritikën, të cilën e lëvron edhe vetë, gazetari dhe studiuesi Mark Marku dha një dritë shprese se tashmë edhe gazetaria kulturore po del nga pozitat e inkompetencës, duke krijuar një lloj elite mes saj, që ofrojnë informacion, por edhe një gjysmëkritikë. Në një front ndërmjetëseje, përkthyesja Mirela Kumbaro pranoi presionin që një gazetar apo një kritik mund të ketë kur shkruan një shkrim të vërtetë kritik, duke marrë parasysh që Shqipëria është një fshat i madh, ku të gjithë janë kushërinj dhe krushq, çka detyrimisht të çon në autocensurë. Përkthyesi Edmond Tupja solli eksperiencën e huaj mbi mënyrën se si vepron kritika përballë një libri të dobët (Francezët zgjedhin heshtjen, italianët kanë Umberto Econ.) Tupe propozoi të mos ketë çmim vetëm për librin më të mirë, por edhe për librin më të dobët. Tryezës iu shtuan edhe mendime të të pranishmëve të tjerë. Në fund, prof. Floresha Dado u propozoi kolegëve të medias që ti bëjnë më shumë publicitet shkrimeve të mira kritike, të cilat nuk mungojnë në faqet e shtypit të shkruar, në mënyrë që media të bëhet një ndërmjetës i vlerë mes kritikës dhe lexuesit.

Vjen në jetë Letra
Ndërsa diskutohet ka apo nuk ka kritikë, Departamenti i Letërsisë pranë Fakultetit Filologjik boton revistën e përkatërmuajshme kritike Letra. Numri i saj i parë u prezantua Ditën Ndërkombëtare të Librit. Sipas shefes së departamentit, Dhurata Shehri, kjo revistë nuk është tërësisht shkencore, por më divulgative, duke u bërë më e kapshme për një publik shumë më të gjerë. Në numrin e saj të parë kjo revistë sjell intervista, dosierë, forume, kritika, recensione, informacione për librat e rinj. Me drejtor dekanin e Fakultetit Shezai Rrokaj, me një bord me disa nga emrat më të njohur në fushën e letrave, si Floresha Dado, Ymer Çiraku e Bashkim Kuçuku, revista ka për kryeredaktore Dhurata Shehrin dhe në redaksi pedagogë e studiues, si Persida Asllani, Adem Jakllari, Eldon Gjikaj e Eljon Doçe.

Gazetari Bregu prezanton “Komunikimi në burgje”
Komunikimi në institucionet e mbyllura-burgu ishte libri studimor i prezantuar dje në ambientet e Fakultetit të Histori- Filologjisë nga gazetari dhe pedagogu Zylyftar Bregu. Nën kujdesin e prof. dr. Artan Fugës, ky libër voluminoz na ofron një panoramë të cilën jo të gjithë e njohin. Përmes një informacioni të ngjeshur, Bregu shtron çështjen Të dënuarit, mes izolimit, informacionit dhe nevojës për komunikim. Përmes kumtesave të njerëzve të njohur të fushës, apo edhe gazetarëve si Jan Van Den Brand, Bashkim Gjergji, Albert Dervishaj etj., ai e plotëson më tepër këtë panoramë, e cila vjen edhe më e gjallë përmes dëshmive të atyre që e kanë përjetuar vetë izolimin, në kohën e diktaturës. Jusuf Vrioni, Uran Kalakulla, Fatos Lubonja, at Zef Pllumi, Ejëll Çoba, sjellin eksperienca nga vitet në qeli.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›