E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare: Pse duhet të hapen dosjet e fshehta për shkrimtarët

Shkrimtari flet për marrëdhënien me kritikën në revistën Letra

Me anë të dosjeve, qeveritë kontrollojnë dhjetëra letrarë, që i përdorin kundër lirisë.

Çndikim mund të ketë kritika letrare tek një gjeni letrash si Kadare? Në numrin e saj të parë, revista kritike Letra, e cila na vjen si një ogur i mirë në këtë lëmë, ka përzgjedhur shkrimtarin më të njohur shqiptar në botë, tu përgjigjet ca pyetjeve rreth kritikës letrare. Asaj nën diktaturë dhe asaj të pas viteve 90. Ismail Kadare ndan me lexuesin eksperiencën e tij me kritikën letrare qysh në krye të herës, qysh se ishte ende fëmijë, për të vijuar me krijimtarinë e tij të mëvonshme, kur veprave të tij do ti kushtoheshin libra të tërë me kritika, studime e analiza. I ngacmuar nga një shprehje e Floberit: Kritiku është ai që zgjedh rolin e spiunit në kohë lufte, ngaqë ska guxim të luftojë, Kadare cek edhe çështjen e hapjes së dosjeve për letrarët, madje jo vetëm atyre shqiptarë, por edhe të huaj që hynin e dilnin në Shqipëri.

Cila ka qenë kritika e parë që ju është bërë, me çrast dhe si e keni pritur?
Ka qenë për librin tim të parë «Frymëzimet djaloshare», një përmbledhje vjershash, shkruar më 1953 dhe botuar më 1954, kur isha ende nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës. Nga ky botim kam kujtime të veçanta. Pas një farë pakti me tim atë, sipas të cilit unë sdo ta vija më emrin e tij midis emrit dhe mbiemrit tim (Ismail H. Kadare), kurse ai sdo të më përzihej më në punët e shkrimeve të mija, im atë ndiqte me një shpërfillje të plotë letrat që më vinin nga shtëpia botuese lidhur me çështjet e këtij libri. Skisha asnjë ide se çmendonte. Vetëm një ditë, kur në vend të letrës që prisja, erdhi një telegram, ku ma kërkonin me ngut dorëshkrimin dhe më duhej të shkoja në Tiranë për ta çuar, ai bëri një ndërhyrje. Në vend të udhëtimit me autobusin e linjës, i cili zgjaste rreth dymbëdhjetë orë, më tha se ishte mirë të shkoja me taksi. Ky udhëtim i pazakonshëm më dha shijen e parë të peshës, për të mos thënë mendjemadhësisë, që mund të shkaktonte botimi i një libri. Në gjimnaz të gjithë flisnin për këtë, madje edhe mësuesi kujdestar më pyeti një ditë: e ke çuar vërtet librin me taksi? Kishte nga ata që besonin se kjo bënte pjesë në atë që quhej «botim», madje ishte pjesa më serioze e tij. Lidhur me kritikën ose kritikët, kisha dëgjuar si për diçka tepër të largët, por që skishte lidhje me kënaqësinë e letërsisë. U habita, nuk e di pse, që për librin tim u botua një kritikë. Përshtypja e kritikës ishte më e madhe se ajo e vetë librit. Disa e quanin nder të madh që kritiku, një «goxha profesor», kishte shkruar kritikë për një kalama. Të tjerë, përkundrazi, e quanin turpërim që, përveç ca fjalëve të mira «sa për të larë gojën» (sipas tyre), kritiku i bënte vërejtje librit të një kalamani. Vërejtja kryesore kishte të bënte me natyrën soditëse të autorit të ri, i cili, sipas kritikut, e shikonte jetën më shumë nëpërmjet dritares sesa i përzier në të.
Nga kafeneja im atë nuk sillte asnjë mendim. Ndërkaq qëndrimi ndaj kritikës ndryshonte me ditë, gjersa ajo përfundoi tek ideja se e meta kryesore e autorit ishte se qe ajo puna e «vështrimit nga dritarja». Këtë e kuptova nga biseda e dy kushërirave tona, që kishin ardhur për përvjetorin e vdekjes së gjyshes. Nuk e fshihnin se ishin të skandalizuara: Përflitet vallë njeriu ngaqë vështron nga penxheret? (Për gratë e vjetra gjirokastrite, të mos dije të vështroje nga dritaret, e aq më tepër ti thoshe tjetrit «mos vështro», ishte baras me të qenët i pagdhendur).
Cili ka qenë apo është kritiku që ju ka bezdisur më shumë apo që e keni bezdisur më shumë?
Kanë qenë dy. Për raste të tilla quhet sjellje e mirë të thuash: «spo përmend emra». Nëse jeni kureshtare, për mua sështë problem tua them. Ishin R.Brahimi dhe K.Bihiku. Ishin të bezdisshëm për shumicën e shkrimtarëve të rinj, për mua veçanërisht. Pothuajse çdo gjë që shkruaja prishnin buzët.
Në romanin «Koncert në fund të stinës» kam përshkruar një rrahje midis një shkrimtari dhe kritikut të vet në një hotel të Kinës.  Ka qenë, me sa duket, ëndrra ime e hershme për njërin prej të dyve. Gjatë shqyrtimit të dorëshkrimit mu bë vërejtja që ta hiqja këtë rrahje, sepse turpëronte delegacionin shqiptar (shkuan shkrimtarët jashtë shtetit dhe, në vend që të nderonin vendin, u rrahën mu në mes të Kinës). Unë nuk e hoqa rrahjen, por i bëra një retush: nga një skenë reale e bëra si të përfytyruar (d.m.th. te dera e dhomës së kritikut, shkrimtari, që ka shkuar për ta rrahur tjetrin, në vend që të trokasë, e përfytyron rrahjen me të gjitha imtësitë). Ndërkaq është shumë befasuese skena e kthimit të tyre nga Kina. Në shkallët e avionit të gjithë vënë re ca shenja të zeza në fytyrën e kritikut.
Më kujtohet se miku im D. Dilaveri, që ishte në dijeni të dorëshkrimit, më tha: po ti sikur e kishe hequr atë rrahjen e famshme.
A e ka kushtëzuar krijimtarinë tuaj sadopak kritika? Po kritika e huaj?
Kushtëzim është një fjalë e madhe. Nuk besoj se mund të kem qenë vërtet i kushtëzuar ndonjëherë. I ndikuar ndoshta, por në kohë  të ndryshme, në mënyra të ndryshme. Vitet e mija studentore në Tiranë kanë përkuar me kohën fill pas vdekjes së Stalinit, me Kongresin XX, Konferencën e Tiranës. Diktatura shqiptare ndihej e trembur. Frikës së vjetër prej botës kapitaliste i ishte shtuar një frikë e re: prej vetë kampit komunist. Ky kamp jepte përshtypjen se po zbutej dhe pikërisht kësaj zbutjeje i druhej Shqipëria. Midis studentëve ndihej një farë fryme liberale, që qarkullonte në gjithë kampin e madh. Herë dukej se ishte qendra e këtij kampi, Rusia hrushoviane që e gjeneronte, herë shtetet satelitë, si Hungaria e pas saj të tjerët. Motiv i përbashkët i pakënaqësisë së këtyre të fundit ishte një farë antisovjetizmi. Bezdia prej flamurit sovjetik që ngrihej detyrimisht përbri flamurit kombëtar, ose të himnit sovjetik, e kështu me radhë, prej librave sovjetikë, vetë gjuhës ruse, që kishte nxjerrë nga shkollat gjuhët perëndimore e që ndoshta për këtë shkak dukej edhe më e vështirë.
Shqipëria kulturore, sidomos Tirana, e përjetonte çuditërisht këtë klimë të pazakonshme. Për fat të keq, letërsia vazhdonte të ishte e ngrirë. Zotëronin fuqishëm shkrimtarët militantë, një pjesë ish-partizanë. Asnjë shenjë rehabilitimi për shkrimtarët e ndaluar. Aq më pak për shkrimtarët e mënjanuar si Poradeci e Kuteli. Në këto kushte, kritika shqiptare kishte humbur çdo autoritet dhe shkrimtarët e brezit të ri vështirë se mund ti merrnin seriozisht qoftë lavdet, qoftë qortimet e saj.
Në Moskë, në institutin Gorki, ku shkova më 1958-n, u njoha me një kritikë, në pamje të parë disi ndryshe, në thelb e njëjta si në Shqipëri. Ngjarja e pashembullt mes të cilës u gjenda, ishte furtuna kundër Pasternakut. Kam mbërritur në Moskë në shtator të vitit 1958 dhe, vetëm disa javë më pas, në tetor, ndodhi dënimi i bujshëm i tij. Ngjarja ishte me jehonë planetare, por qendra e ciklonit ishte në rrugën Hercen, ku ndodhej Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia e Hercenit, ku ishte Instituti ynë, dy hapa larg. Është pak të thuash se ngjarja ishte tronditëse për të gjithë, veçanërisht për shkrimtarët. Prej saj kuptoheshin shumë gjëra, e në radhë të parë thelbi i raporteve midis një shkrimtari të shquar dhe shtetit autoritar. Mjafton të përmendet se pak kohë më pas Pasternaku vdiq, ende pa e marrë veten nga tronditja.
Në institutin Gorki u njoha me kritikën sovjetike, e cila pavarësisht zbutjes hrushoviane, nuk ndryshonte shumë nga e jona. Në seminare shqyrtoheshin veprat e studentëve. Dy grupimet, konservatore dhe liberale, atje i provoje mbi veten tënde. Mund të them se ndaj kësaj «kritike sovjetike» kam pasur të njëjtin mosbesim sikurse ndaj asaj shqiptare.
Një këndvështrim i tretë, tepër i rral

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›