Afrimi i politikës me qytetarin, misioni i LSI-së

Zëvendëskryeministri Haxhinasto, takime me të rinj në Qarkun e Elbasanit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i METE Edmond Haxhinasto ka zhvilluar një sërë takimesh me qindra të rinj dhe të reja në komuna të ndryshme të Elbasanit. Në fjalën e tij në takimin e zhvilluar me të rinjtë në Komunën e Gjergjanit Sekretari Politik i LSI-së për Qarkun e Elbasanit, deklaroi se LSI ka qenë gjithmonë një forcë politike e cila u ka dhënë një besim shumë të madh të rinjve dhe të rejave të vendit.
Sekretari Politik i LSI-së për Qarkun e Elbasan, Edmond Haxhinasto, tha se LSI ka prioritet të madh punësimin e të rinjve. “Çfarë do të thotë të kesh prioritet madhor punësimin? Do të thotë që të mbarosh shkollën dhe të kesh mundësi punësimi. LSI nuk bën retorik elektorale me këtë çështje por ajo është shumë e qartë dhe konkrete sesi do ta bëj këtë punësim dhe jemi shumë seriozë në të gjitha shifrat që japim si dhe në politikat që ne propozojmë për të arritur këtë punësim disa sektor. Të cilët janë, energjetika, industria minerare, tregtia , prodhimi por edhe agro përpunimi. Sot biseduam edhe për zonën e Gjinarit dhe Gjergjanit për mundësit e mëdha që ka kjo zonë për agrobiznes me qëllim që produktet e shkëlqyera që bëhen këtu të përpunohen dhe fermerët të marrin shumë më tepër vlerë nga puna që bëjnë”, vijoi fjalën e tij Haxhinasto.
Ai u shpreh se ashtu si rininë LSI ka prioritet edhe zhvillimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj sa më shumë në vendimmarrje.
Ai deklaroi se misioni i rëndësishëm i LSI-së është që ta bëjë politikën shqiptare më njerëzore dhe më në shërbim të qytetarëve.
Sipas tij për këtë arsye shqiptarët do ta mbështesin atë më shumë se kurrë më 23 qershor.
Duke Përfunduar Haxhinasto i ftoi dhe një herë të gjithë të rinjtë që, “ashtu siç keni bërë edhe në të kaluarën edhe këtë herë të jeni pjesë e fitores sonë të madhe, një fitoreje për të cilën ka nevojë Shqipëria dhe kanë nevojë të gjithë qytetarët shqiptarë”.