E Diel, 1 Nëntor 2026

Krito Floqi, molieri shqiptar "qesh" pas censures

04/12/2004  Kristo Floqi

Molieri shqiptar “qesh” pas censurës

Molieri shqiptar, siç është cilësuar nga kritika shqiptare, Kristo Floqi është ngjitur mbrëmë në skenën e teatrit "Bylis" Fier me "Vëllazëri e interes", nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Luftar Paja, Fatmir Xhelili, Hajrie Rondos dhe gjithë trupës së teatrore fierake. Pas një censurimi të gjatë të krijimtarisë së tij, komedia e Floqit vihet për herë të parë në skenën fierake, duke ngjallur interes të veçantë. "Zgjodha Fierin për të vënë në skenë këtë shfaqje të Floqit, pasi këtu gjej një trupë teatrore të kompletuar". Kështu është shprehur për gazetën regjisori i kësaj shfaqjeje, Mehmet Xhelili. Komedia e Floqit, nën interpretimin e të mëdhenjve të skenës së Fierit, vjen si një bashkim në një akt të vetëm të tri komedive "Vëllazëri e interes", "Akraballëk" & "Zi e më zi". Pjesa e parë e komedisë mbështetet mbi temën "të kam vëlla e të dua si vëlla, apo se “të dua se për ty kam nevojë, o interes”. Në të del qartë shqetësimi i autorit se varfëria dhe interesi material bëjnë atë që të zhvlerësohen cilësi si dashuria vëllazërore dhe lidhjet e shëndosha familjare. Komedia u shqua për nga dinamika e brendshme, që e bëjnë atë të tingëllojë mjaft moderne.

U duartrokitën fort nga publiku fierak interpretimi i shkëlqyer i aktorit Fatmir Xhelili, Hajrie Rondo dhe Klajdi Markut. Komedia e dytë "Akraballëku" e merr subjektin e saj nga jeta e autorit. E shkruar në vitin 1925 prek probleme, shqetësime, mentalitete, të cilat riciklohen pas dekadash dhe ngjashmëria me problemet e sotme është kaq e madhe sa të bën të pyesësh: Kaq pak kemi ndryshuar ne shqiptarët?! Në rolin kryesor është Luftar Paja. Ndërsa komedia e tretë "Zi e më zi" bazohet mbi subjektin e humbjes së bashkëshortit dhe fillimi i një jetë të re. Komedia afirmon idenë e vazhdimësisë së jetës dhe gëzimin e të jetuarit. Gjatë shfaqjes së komedisë nuk kanë munguar duartrokitjet për aktoren Hajrie Rondo dhe aktores së re, Miola Sitaj. Ky aktivitet do të zhvillohet disa ditë në teatrin "Bylis", nën kujdesin e drejtpërdrejtë financiar të bashkisë Fier. Pas shfaqjes, Artisti i Popullit, Luftar Paja, shprehet i kënaqur për pritjen e ngrohtë të artdashësve fierakë. "Më vjen mirë, tha ai, që publiku ka të njëjtat shije si shumë vite më parë për trupën e teatrit Bylis. Kjo skenë na dha krah dhe optimizëm për vite me radhë, ndaj i detyrohemi më shumë publikut në përgjithësi me shfaqje sa më cilësore".

Irena Mërtiri

Mungesa e fondeve pengon ekspozimin e mbi 400 objekteve në Muzeun e Armëve në Gjirokastër

Objektet e Muzeut të Armëve në Gjirokastër që i përkasin epokës së gurit, bronxit, hekurit dhe, sidomos të mesjetës, nuk mund të ekspozohen në stenda për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme nga ana e bashkisë. Drejtorja e këtij muzeu, Teuta Kallajxhi, tha se "të gjitha objektet u hoqën nga vitrinat në dy nga pavionet ku ishin ekspozuar prej vitit 1997 për t'u ruajtur nga grabitjet".

Sipas saj, objektet si shpata e armë të zbukuruara me argjend dhe disa prej tyre të lyera edhe me ar janë prodhime artizanale dhe i përkasin shekujve XIV-XV. Muzeu i Armëve në Gjirokastër ka në fondin e vet rreth 1 mijë objekte, ku 400 prej tyre janë prodhime origjinale, ndërsa 250 vepra arti si piktura, skulptura kanë firmën e autorëve gjirokastritë, etj. Prej 7 vjetësh, Muzeu i Armëve është në rikonstruksion, duke bërë që mjaft prej objekteve të mos ekspozohen as në evenimente të rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›