E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i ndarjes zonale jepet në fillim të vitit të ri

04/12/2004  Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendim në datën 6 dhjetor për ndarjen elektorale, por vetëm do të marrë në shqyrtim kërkesën e socialdemokratëve. Madje, juristët thanë se vendimi mbi këtë pikë nuk do të merret as brenda këtij muaji. Kjo për vetë faktin se precedentët e tjerë kanë treguar se ankesat në Kushtetuese zgjasin disa muaj. Ndërsa dhe në rastet kur për çështjen e ankimuar, parlamenti ka marrë vendim, interpretimi i Kushtetueses mbetet për të ardhmen. Në këtë rrjedhë duket se do të shkojë dhe kërkesa e Partisë Socialdemokrate për cilësimin antikushtetues të kodit zgjedhor në pikën për ndarjen e zonave elektorale.

Vendimi

Ndërsa Gjykata Kushtetuese do të nisë shqyrtimin për të rrëzuar ose jo ndarjen elektorale, do të nisë punën dhe Komisioni i Ligjeve, për miratimin e kësaj harte. Do të jetë ky komision parlamentar që do t'i hapë rrugën miratimit të zonave në seancë plenare. Sipas rregullores së Kuvendit, komisioni ka të drejtën e ndryshimit të zonave. Por në rast se do të vlerësohet që harta duhet të ndryshohet e plotë, atëherë gjithçka do t'i kalojë komisionit të posaçëm për ndarjen e re elektorale. Ky i fundit është i detyruar që të rishqyrtojë zonat elektorale brenda 30 ditëve. Debati mbi këtë çështje ka ardhur nga fakti se komisioni i posaçëm ka vendosur që t'i heqë dy zona zgjedhore Vlorës dhe një Beratit. Për çdo zonë zgjedhore hiqet dhe një deputet. Ndërsa këto i shtohen një Kukësit, një Dibrës dhe një Korçës. Sipas të dhënave, zonat e shkurtuara janë mbështetës të socialistëve, që kalojnë me ndarjen e re në favor të opozitës aktuale. Ndaj dhe veprimi i parë ka qenë ankimi në Kushtetuese. Diskutimi në Kuvend mbi këtë pikë duhet të përfundojë brenda muajit dhjetor.

Ankesa

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimin se e njëjta ankesë, është kundërshtuar dy muaj më parë. Sipas një njoftimi për shtyp, në këtë kohë Partia Agrare Ambientaliste ka paraqitur një kërkesë, por që është kthyer për riformulim. Ndaj dhe nuk është e njëjta situatë me kërkesën e Partisë Socialdemokrate. Zyra e shtypit e Gjykatës Kushtetuese është shprehur se më 6 dhjetor do të zhvillohet seanca e parë, ku do të dëgjohen palët. Më pas, trupi i gjyqtarëve do të tërhiqet për të shqyrtuar çështjen dhe për të marrë vendim në një kohë të dytë.

Akuza

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi dy ditë më parë se pas ankesës së PSD-së fshihet Fatos Nano. Për Kryeministrin, Berisha tha se po pengon reformat zgjedhore, ku një pikë kryesore është dhe ndarja e re elektorale. Për këtë arsye, Berisha kërkoi që Kushtetuesja të mos e marrë në shqyrtim ankesën, pasi për çështjet zgjedhore kujdeset kolegji zgjedhor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›