E Diel, 1 Nëntor 2026

Age Gjini, nënë e dy fëmijëve, është gjetur e varur në banesën e saj mëngjesin e djeshëm

Laç-Një grua, nënë e dy fëmijëve, është gjetur e vetëvarur në banesën e saj, në Laç. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Laçit mësohet se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm dhe është njoftuar nga të afërm të viktimës. “Shtetasja, Age Gjini, nënë e dy fëmijëve u gjet e vetëvarur në mëngjes në banesën e saj”- bëjnë të ditur burimet policore. Sipas policisë, trupi i 40-vjeçares u gjet nga të afërm të saj, të cilët në atë moment kishin hyrë në banesën e gruas. Nga dëshmitë e dhëna në polici, gruaja kishte përfituar nga rasti kur ka qenë e vetme në banesë për të ndërmarrë aktin për të cilin duket se kishte menduar që më parë. Mësohet se gruaja është zgjuar herët, ka përcjellë bashkëshortin për në punë, ndërkohë që dy fëmijët kanë qenë në gjumë. Akti i vetëflijimit në litar është bërë në një dhomë tjetër, jo në atë ku flinin fëmijët. Mendohet se gjithçka është bërë në qetësi të plotë dhe në momentin që të afërmit kanë hyrë në dhomë kanë mbetur të shtangur nga pamja që kanë parë. Janë mundur ta ndihmojnë, por, nga sa mësohet nga burimet, çdo përpjekje ka qenë e kotë, pasi 40-vjeçarja nuk ka pasur më shenja jete. Të alarmuar ata kanë njoftuar policinë lokale, e cila ka mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave të para të policisë, nga hetimet paraprake vdekja është cilësuar si vetëvrasje. Por ende nuk është dhënë ndonjë rezultat konkret rreth shkaqeve që e kanë çuar 40-vjeçaren Gjini të vetëvaret. Pista më e mundshme, sipas hetimit të policisë, ka qenë ajo e depresionit të rëndë nervor. Ndërkaq, pritet që versionin zyrtar të vdekjes ta japin hetimet përfundimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›